Lidhje

Kërkohet shkarkimi i Inspektores së BSH


Në Shqipëri Komisioni i Ekonomisë vendosi sot ti kërkojë parlamentit nisjen e procedurave për shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi pasi kjo e fundit refuzoi të paraqitej në seancë dëgjimore.

Kërkohet shkarkimi i Inspektores së BSH
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Me herët komisioni dëgjoi pararendësen e saj zonjën Teuta Baleta, e cila foli për një situatë problematike në Bankë gjatë periudhës që ajo kishte qenë si Inspektore e Përgjithshme. Ajo bëri përgjegjës, drejtuesit e Bankës dhe Këshillin mbikqyrës.

Ashtu si dhe dje, Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, refuzoi sërish të paraqitej në Komisionin e Ekonomisë. Me anë të një letre ajo e cilësoi të pabazuar në ligj kërkesën për seancë dëgjimore, duke nënvizuar sërish se ishte e gatshme që të jepte informacion vetëm me shkrim.

Por nga ana e tij kryetari i Komisionit Erion Braçe tha se kërkesa ishte mbështetur në parimin bazë të kontrollit të parlamentit përkundrejt cdo institucioni, ndërsa bëri pas një sërë referencash të tjera ligjore:

"Refuzimi i përsëritur i zonjës që bën detyrën e Inspektorit të përgjithshëm, në raport me këtë institucion natyrisht që ka shkelur kushtetutën, rregulloren e parlamentit dhe ligjin për Bankën e Shtetit. Nga ana tjetër refuzimi që Inspektori i Përgjithshëm i bënë këtij institucioni tregon standartin e ulët institucional të Bankës së Shqipërisë në raport me parlamentin”.

Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe dje, sipas zotit Brace, Inspektorja e Përgjithshme ka konsumuar shkaqet që cojnë në shkarkimin e saj.pp

“Propozimi im është që ky komision të autorizojë kryetarin që me anë të një raporti të vërë në dijeni konferencën e kryetarëve të parlamentit, për të marrë miratimin dhe për të nisur procedimin për shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”, tha zoti Braçe.

Më herët komisioni dëgjoi ish Inspektoren e Përgjithshme Teuta Baleta e cila kishte mbuluar këtë detyrë deri në vitin 2010. Zonja Baleta bëri një panoramë problematike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë.

“Gjatë veprimtarisë 5 vjecare kam drejtuar auditimin e të gjithë funksioneve dhe proceseve të identifikuara në Bankën e Shqipërisë. Problemet e vërejtura kanë qenë të shumta e shpesh herë edhe kritike, nga sistemet e pagave dhe shpërblimeve, te fondet e pensionit, në veprimtarinë e kreditimit për punonjësit e Bankës së Shqipërisë, në sistemet e sigurisë së informacionit dhe ambjenteve fizike, sistemit kontabël dhe transferimit të fitimit të BSH, në buxhetin e shtetit, veprimtarinë e punësimit dhe trajtimit të konfliktit të interesit, prokurimeve të mallrave dhe sërbimit, buxhetimit, planit të investimit, zbatimit të kontratave etj. Madje është evidentuar edhe problematika e deformimit të funksioneve të Këshillit Mbikqyrës, sic është rasti i angazhimit të Këshillit në procese prokurimi, duke marrë atributetet e entit prokurues e duke humbur funksionin e tij mbikqyrës”, u shpreh ajo.

Por akoma më problematike ka qenë situata me auditimin dhe kontrollin në Bankë. Zonja Baleta foli për mosplotësimit të numrit të punonjësve të këtij sektori, mostrajnim të tyre, pavarësisht një programi të rekomanduar nga Fondi Monetar, kufizime në dhënien e informacionit për auditim dhe cënim direkt të kompetencave dhe funksioneve të detyrës që ajo mbulonte:

“Për të gjithë këto problematika që prekën pavarësinë auditimit të brendshëm si dhe kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm dhe dhanë ndikim negativ në funksionin e tij me tendencë dobësimin, është raportuar cdo herë te guvernatori dhe Këshilli Mbikqyrës, si në mbledhjet e rregullta që janë zhvilluara ashtu dhe në takimin special që mbante Inspektori i Përgjithshëm vetëm me anëtarët jo ekzekutiv të këtij Këshilli. Fakti që problemet mbetën të pazgjidhura, madje u përkeqësuan deri kur kam lënë detyrën, në opinionin tim, është pasojë e dështimit të Këshillit Mbikqyrës”.

Komisioni i Ekonomisë do të vazhdojë seancat dëgjimore me anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, të cilët nga nesër do të paraqiten edhe në Prokurori. Deri më tani janë 12 persona që mbahen në arrest për skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë. Prokuroria apeloi sot dhe vendimin e fundjavës së gjykatës së Tiranës e cila la në arrest shtëpiak 5 anëtarë të komisionit të inventarizimit, mes të cilëve ishin përzgjedhur edhe elektricisti dhe hidrauliku i Bankës.

XS
SM
MD
LG