Lidhje

Konsumatorët kinezë të dashuruar pas pajisjeve elektronike


Panairi në Shangai

Politika e Kinës për dyer të hapura ndaj kompanive të teknologjisë po e transformon me shpejtësi shoqërinë kineze në një mjedis konsumator të stilit perëndimor, gjithnjë të etur për pajisje të reja. Vëmendjen e vizitorëve të këtij viti në Panairin për Konsumatorët e Elektronikës në Shanghai, e mbizotëruan robotët.

Janë ende të ngadaltë dhe disi të plogësht, por këta robotë që kërcejnë Gangnam-style, tërhoqën vëmendjen e mijëra vizitorëve të panairit më të fundit të elektronikës në Azi.

Shkathtësia e tyre fizike është e kufizuar dhe nuk munden të bëjnë më tepër se sa të na argëtojnë dhe t’u përgjigjen disa pyetjeve të thjeshta.

Robotët që mund të kryejnë disa funksione të vërteta janë më të mëdhenj dhe më të shtrenjtë, pra jo shumë të përshtatshëm për një shtëpi normale kineze.

Shpikës të tjerë po mundohen të prodhojnë paisje si syze të realitetit të shtuar që fillojnë nga 250 dollarë, ose valixhe inteligjente që ndjekin nga pas pronarin.

“Besoj që teknologjia duhet bërë për njerëzit dhe në shërbim të tyre”, thotë Zhangyi Zhong, i firmës “Dreamworld USA Inc.”.

Ekspertët vënë në dukje se shumë prej robotëve dhe pajisjeve të ekspozuara, janë montuar dhe madje edhe dizenjuar në Kinë, e cila tashmë po zhvendoset nga një vend manifakture, drejt një shoqërie inovacioni.

“Kompanitë kineze vazhdojnë të rriten dhe të bëhen më të rëndësisshme. Po krijojnë partneritete me kompani perëndimore për të avancuar teknologjinë e tyre. Kështu që shohim teknologjinë të avancojë me shpejtësi”, thotë drejtori i panairit “CES Asia”, John Kelly.

Dronët janë një tjetër aspekt që së shpejti mund të bëhet pjesë e jetës së përditshme në Kinë. Ky dron mund të fluturojë me shpejtësi deri në 50 km në orë, të bëjë dërgesa të thjeshta ose të monitorojë hapësira të mbyllura dhe të hapura.

Realiteti virtual është një tjetër teknologji që po fiton terren, megjithëse ka ende shumë punë për t’u përmirësuar.

“Rezolucioni dhe saktësia duhen përmirësuar. Paisjet e realitetit virtual nuk kanë cilësinë e telefonave, prandaj nuk duken reale. Gjithashtu, duhet shmangur efekti i marrjes së mendve”, thotë vizitorja, Song Zhe.

Ndërsa rritet oreksi i konsumatorëve kinezë për paisje elektronike, gjithnjë e më shumë shpikës po konkurrojnë për të krijuar diçka të veçantë, qofshin motora me bateri, robotë me shumë këmbë, apo kamera nënujore të telekomanduara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG