Lidhje

Çështja e programit bërthamor të Iranit dhe politikat në SHBA


Dyshimet rreth dëshirës së Iranit për t’u bërë një fuqi armësh bërthamore po ndikojnë jo vetëm në manovrimet diplomatike, por edhe në debatet e brendshme politike në disa vende. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Gary Thomas, tre protagonistët kryesorë në debatin e armëve bërthamore ose sapo kanë zhvilluar zgjedhje ose do të zhvillojnë zgjedhje në të ardhmen e afërt.

Izraeli ka bërë thirrje për një sulm ushtarak kundër qendrave bërthamore të Iranit nga frika se së shpejti iranianët do të jenë në gjendje të sulmojnë dhe do të donin ndihmën e Shteteve të Bashkuara ose të paktën miratimin e tyre për një hap të tillë. Por Presidenti Barack Obama, i cili u takua kohët e fundit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington, ka këshilluar që të kihet durim, duke u bërë thirrje izraelitëve që t’u japin më shumë kohë sanksioneve më të ashpra ekonomike dhe politike.

Ish zyrtari i qeverisë izraelite, Daniel Levy, tani bashkë drejtor i grupit të punës për Lindjen e Mesme në fondacionin Amerika e Re, thotë se qëndrimet politike të zotit Netanyahu lidhur me çështjen bërthamore të Iranit nuk mund mos përfillet.

"Nuk dua të tregohem cinik apo të them se zoti Netanyahu thjesht ka qëllime politike, megjithatë ai është politikan. Dhe po të shohësh analizat e shumta të krijohet përshtypja sikur Izraeli nuk ka interesa politike të brendshme. Prandaj dua të përfshij në ekuacion politikat izraelite. Kryeministri Netanyahu është në pozita të forta për të fituar një mandat të tretë dhe kjo është shumë e rëndësishme për të".

Zgjedhjet parlamentare në Izrael duhet të mbahen para tetorit të vitit të ardhshëm dhe shumë analistë mendojnë se kryeministri Netanyahu do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Një anketë e re e opinionit tregon se 42 për qind e izraelitëve mbështet një sulm izraelit kundër Iranit, por vetëm me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur kohët e fundit në Komitetin Amerikano-Izraelit të Çështjeve Publike, grupi më i madh lobist izraelit në Uashington, kryeministri Netanyahu tha se Izraeli nuk mund të presë shumë gjatë para se të veprojë kundër Iranit. Në Shtetet e Bashkuara, kandidatët republikanë për president flasin me tone të ashpra kundër Iranit, si për shembull kandidati kryesor, Mitt Romney.

"Presidenti duhet të kishte bërë një paralajmërim të besueshëm ushtarak dhe ta bënte të qartë se Shtetet e Bashkuara, në rast nevoje, janë të gatshme të ndërmarrin hapa ushtarake për ta parandaluar Iranin që të zotërojë një armë bërthamore".

Analistja Heather Hurlburt, drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare, Rrjeti i Sigurimit Kombëtar, thotë se republikanët po përpiqen ta portretizojnë presidentin Obama si

"Nëse Barack Obama është shquar si president në çështjet e sigurimit kombëtar, le të mos harrojmë se ai dha urdhër për vrasjen e Osama bin Ladenit, atëhere ai duhet kritikuar për këtë. Irani është një objektiv i zgjedhur meqë presidenti nuk mund të kritikohet për luftën kundër terrorizmit, kundër Irakut apo Afganistanit sepse amerikanët nuk i mbështesin më këto lufta dhe duan kthimin e trupave në atdhe".

Alireza Nader, analiste në Korporatën RAND, thotë se edhe në shtetin teokrat të Iranit, çështjet politike kanë rëndësi.

"Edhe në Iran çështjet politike janë të rëndësishme. Mendoj se ekziston një perseptim i përgjithshëm dhe i gabuar se Irani ka një system të bashkuar politik me synimin për të prodhuar armë bërthamore. Dhe kjo nuk është aspak e vërtetë. Politikat iraniane ndikojnë në formimin e politikës së jashtme të Iranit si dhe të politikës së tij bërthamore".

Duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Iran, analistët mendojnë se ndikimi i Presidentit Mahmoud Ahmadinejad është pakësuar ndjeshëm. Trita Parsi, presidente e Këshillit Kombëtar Amerikano-Iranian dhe autore e një libri të ri lidhur me diplomacinë e presidentit Obama ndaj Iranit, thotë se udhëheqësi supreme i Iranit mund të sjellë në politikën e vendit disa zëra më të moderuar.

"Ekzistojnë rryma të ndryshme mendimi mes qarqeve politike të Iranit lidhur me kompromisin që duhet bërë dhe transparencën që mund të ofrojnë për pjesën tjetër të botës. Mendoj se kjo mund të jetë diçka pozitive sepse aktualisht si Irani edhe Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë një fare kompromisi".

Ka disa shenja të një kompromisi të tillë. Kohët e fundit Irani u tregua i gatshëm për t’u kthyer në bisedimet bërthamore me 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermaninë. Kërcënimet e luftës me Izraelin janë zbutur paksa, megjithëse kryeministri izraelit Netanyahu është ende skeptik rreth efektivitetit të sanksioneve kundër qeverisë iraniane.

XS
SM
MD
LG