Lidhje

Vdes Charles Manson, vrasës serial


Charles Manson, një prej vrasësve serialë më famëkeq në historinë amerikane, vdiq mbrëmjen e së dielës në moshën 83 vjeçare, pas më shumë se katër dekada në burg. Departamenti i burgjeve në Kaliforni tha se Manson vdiq nga shkaqe natyrore në një spital në kontenë Kern.

Manson dhe gjashtë bashkëpunëtorë të tij u burgosën në vitin 1971 për një seri prej shtatë vrasjesh të frikshme në zonën e qytetit Los Axhelos gjatë dy netëve në vitin 1969. Tre të tjerë ndjekës të tij u burgosën më pas për krime që lidheshin me Manson.

Manson lindi nga një grua e pamartuar në Sincinati të shtetit Ohajo në vitin 1934. Ai e kaloi gjithë jetën nëpër burgje për krime të ndryshme. Vitet e adoleshencës i filloi me dënime për vjedhje dhe grabitje të armatosur.

Në moshë të rritur dhe me një trup të vogël, Manson besohet se ishte analfabet, por i papuni kronik dhe autor këngësh me pamjen të hijshme dhe karizmë fitoi ndjekës të shumtë. Nga mesi i viteve 1960 ai u bë udhëheqës i një kulti të vogël të njohur si Familja Manson, të cilët i udhëhoqi për të kryer vrasjet e gushtit të vitit 1969.

Manson pretendoi se ishte influencuar nga kënga e Beatles "Helter Skelter". Ai tha se besonte se kënga aludonte për një luftë të pashmangshme racore që do të shkaktohej nga vrasjet që kryen ai dhe pasuesit e tij.

Viktima më e njohur e Manson ishte aktorja amerikane Sharon Tate, e cila ishte 26 vjeçe dhe tetë muaj e gjysëm shtatëzënë kur u godit me thikë nga banda e Manson në shtëpinë e saj në Benedict Canyon në Kaliforni. Ajo ishte e martuar me regjisorin Roman Polanski. Në të njëjtin vend u vranë edhe të njohurit e aktores Jay Sebring, Abigail Folger, Wojciech Frykowski, si dhe Steven Parent, një mik i kujdestarit të shtëpisë. Skena e vrasjes ishte e tmerrshme; një prej pasuesve të bandës shkroi me gjak në derën e shtëpisë fjalën “derr”. Një natë më pas, gjashtë pjestarë të bandës Manson hynë me forcë në shtëpinë e Leno LaBianca, një drejtues i lartë supermarketesh në Los Anxheles duke e vrarë atë dhe gruan tij. Policisë ju deshën disa javë që të bënin lidhjet mes vrasjeve.

Pasi policia i identifikoi ata përmes shenjave të gishtërinjëve, Manson dhe banda e tij dolën para gjykatës një vit më vonë. Manson u përpoq të bënte avokatin mbrojtës çfarë rezultoi në disa mocione ligjore. Përfundimisht atij ju caktua një avokat ndërsa ai reagoi duke gëdhendur shkronjën “X” në ballë për të demostruar pakënaqësitë e tij. Pasuesit e tij e kopjuan, duke shpërfytyruar fytyrat e tyre. Më pas, Manson e ndryshoi shkronjën “X” duke e kthyer në simbolin e partisë naziste në Gjermani.

Manson dhe pasuesit e tij u dënuan me vdekje në vendimin e vitit 1971, por shteti i Kalifornisë e nxori jashtë ligji dënimin me vdekje një vit më pas. Kështu shumica e pjestarëve të bandës Manson kanë mbetur pas hekurave pavarësisht dhjetëra seancave për lirim me kusht. Vetë Manson ka dështuar 12 herë të sigurojë lirim me kusht.

Pas vdekjes së Charles Manson në burg kanë mbetur pesë anëtar të bandës që po vuajt dënimin me burgim të përjetshëm. Një tjetër anëtare e bandës, Susan Atkins vdiq në burg në vitin 2009. Të paktën tre bashkëpunëtor të Manson janë liruar me kusht pas dënimit për krime që lidhen me Manson. Lynette "Squeaky" Fromme u lirua me kusht në vitin 2009 pasi bëri 33 vjet burg për një përpjekje në jetën e Presidentit amerikan Gerald Ford.

Sandra Good u lirua me kusht në vitin 1985 pasi kreu nëntë vjet burg për dërgim letrash kërcënuese për më shumë se 150 drejtues korporatash. Steve Grogan, i dënuar se kishte ndihmuar Manson në 1969 për të vrarë një punonjës ferme, gjithashtu u lirua me kusht në vitin 1985, pasi ndihmoi autoritetet të gjejnë trupin e një viktime, tetë vjet pas vrasjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG