Lidhje

Sharlotsvilli reflekton mbi protestën vdekjeprurëse


Për shumë njerëz në Sharlotsvill të Virxhinias, e marta ishte një ditë reflektimi dhe pikëllimi. Pas dhunës që la tre të vdekur, shumë amerikanë po mendojnë për natyrën e debatit publik mbi atë që po ndodh tani, dhe ndoshta më e rëndësishmja, mbi të kaluarën e Amerikës.

Memoriale të përkohshme janë ngritur përgjatë rrugës në Sharlotsvill, ku u vra një grua dhe u plagosën 19 të tjerë gjatë një tubimit të supremacistëve të bardhë.

Lulet dhe mbishkrimet janë vendosur në këtë rrugë për të nder të 32 vjeçares Heather Heyer, punonjëse e një zyre avokatie, që u godit nga një makinë gjatë protestës së të shtunës.

Një pankartë me emrin e saj është vënë edhe në monumentin që nxiti tubimin e supremacistëve, statujën e Gjeneralit të Luftës Civile Amerikane, Robert E. Lee.

Gjenerali Lee udhëhoqi trupat e konfederatës së shteteve jugore në luftën civile 4 vjeçare që filloi në 1861, të nxitur kryesisht nga këmbëngulja e banorëve të pjesës jugore të Shteteve të Bashkuara për të ruajtur të drejtën për të patur skllevër.

Supremacistët e bardhë që shkuan në Sharlotsvill kundërshtojnë heqjen e statujës.

Ndërsa disa thonë se monumentet i shërbejnë një qëllimi, amerikanë të tjerë argumentojnë se ato hymnizojnë pjesën më të hidhur të historisë së vendit.

"Ne duhet t'i heqim këta flamuj dhe këto statuja. Duhet të hiqen të gjitha monumentet përkujtimore që i thurin lavde ndarjes racore dhe duhet të kemi diçka që i bashkon njerëzit dhe tregon unitetin e njerezve. Kjo është tragjike dhe kurrë nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë. Ato (monumentet) nuk duhet të shkatërrohen, ato duhet të jenë objekte historike që tregojnë se ku kemi qenë, dhe për të kuptuar, menduar dhe reflektuar mbi të kaluarën tonë, për të mos harruar aspektin tonë njerëzor ", thotë një banor i Sharlotsvillit.

Një pronar restoranti, i cili para dhjetë vjetësh erdhi në Sharlotsvill nga Turqia, thotë se nuk do të frikësohet nga mungesa e tolerancës:

"Unë vërtetë ndjehem i pasigurt tani, si një person i ardhur nga një vend tjetër, por nuk dua ta besoj këtë. Unë besoj se njerëzit që jetojnë në këtë qytet janë shumë të mirë dhe nuk do t'i lejojnë këta njerëz të fitojnë."

Disa grupe kanë filluar të nënshkruajnë peticione që Sharlotesvilli ta zëvendësojë statujën e Gjeneralit Lee me një monument për nder të Heather Heyer-it, viktimës së dhunës me motive racore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG