Lidhje

Chevy Bolt në epiqendër të panairit të makinave


Të premten u hap në Uashington panairi i makinave 2017, ku u shfaqën disa modele të reja interesante. Ndërkohë që makinat me vetëngarje janë ende larg, prodhuesit po përpiqen të mahnisin blerësit me motorët elektrikë, rendiment më të lartë, komfort dhe stil. Gjithashtu, vazhdon të rritet gjatësia e distancave që mund të përshkojnë modelet e reja.

Nëse doni të shijoni eksperiencën e makinave të fuqishme, por krejtësisht të pavarura nga aspekti i kursimit të karburantit, ndotjes apo edhe dëmit ndaj mjetit, atëherë mund të ngisni një simulator makinash.

Por në realitet, konsumatorët duket se po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga makinat e reja plotësisht elektrike ose hibride.

Pas një suksesi fillestar me veturën me bateri, Chevy Volt, kompania General Motors po paraqet makinën e re elektrike me çmim më të përballueshëm Bolt EV. Kompania thotë se ajo ka dy avantazhe kryesore.

“Me një mbushje baterie përshkon një distancë të madhe prej 380 kilometrash dhe çmimi më i përballueshëm është rreth 37 mijë dollarë.”

Deri në shtator, makina Bolt EV do të shitet në tregun amerikan dhe në Evropë, ku do të quhet Opel Ampera E.

Firma Chevrolet thotë se do të vazhdojë zhvillimin e makinave të vetëdrejtuara, dhe në bashkëpunim me shërbimin taksi Lyft, do të përdorë makinën Bolt EV për këtë qëllim.

Prodhues të tjerë automobilësh, si firma Ford, bazohen ende tek dashurimi i amerikanëve me mjetet e mëdha dhe të fuqishme. Edhe varianti i ri më kursimtar i Ford Mustang, me motorin 2.3 litërsh dhe 310 kuaj fuqi, vazhdon të konsumojë rreth 10 litra karburant për 100 kilometra brenda qytetit.

Për tifozët e makinave të sportit, firma Chrysler-Fiat ofron makinën me dizenjo të re, Jeep Compass, e cila i jep mundësinë shoferit të përzgjedhë sisteme kontrolli për mot me borë, terren ranor, me baltë apo shkëmbor. Çmimi i saj bazë fillon tek 20 mijë dollarë.

Toyota ua kaloi konkurrentëve duke shfaqur modelin Camry 2018, që ka qenë makina më e shitur familjare në Amerikë për disa dekada. Kompania ka bërë disa ndryshime të rëndësishme, në përpjekje për të tërhequr blerësit e moshave më të reja.

“E kemi ulur qendrën e gravitetit, zgjeruam gjerësinë, shtuam një sistem të dyfishtë frenimi në rrotat e pasme, duke e bërë kështu më të shkathët në manovrim.”

Në panairin e Uashingtonit gjenden edhe seksionet e zakonshme të furgonëve, kamionëve, makinave të sportit dhe disa prototipeve të pazakonta. Ndërsa makinat vetëngarëse mbeten ende në fazën eksperimentale.

XS
SM
MD
LG