Lidhje

Qeveria kineze premton përmirësime


Qeveria e Kinës premtoi se do të luftojë korrupsionin, do të përmirësojë mjedisin dhe do të nxisë rritjen ekonomike. Mijra delegatë janë mbledhur në kryeqytetin kinez nën masa të rrepta sigurimi për sesionin e 13 të Asamblesë Kombëtare që filloi të martën.

Asambleja do të bëjë, mes të tjerash, zëvendësimin e figurave kryesore udhëheqëse të vendit, që ndryshohen një herë në dhjetë vjet.

Kryeministri Wen Jiabao, i cili largohet nga ky post, mbajti raportin e tij të fundit për punën e qeverisë. Ai tha se Kina përballet me një detyrë të vështirë për korrigjimin e rritjes së pabarabartë ekonomike të vendit dhe hendekut në të ardhurat.

"Ne përballemi me shumë probleme. Zhvillimi ekonomik është në konflikt gjithnjë e më të madh me ruajtjen e burimeve dhe mbrojtjen e mjedisit. Hendeku midis zhvillimit të zonave urbane dhe rurale si dhe midis rajoneve të ndryshme është i madh, po kështu dallimet në të ardhura ndërmjet individëve. Disa rajone janë të ekspozuara ndaj korrupsionit," tha kryeministri kinez.

Zoti Wen tha se objektivi i rritjes ekonomike për këtë vit është 7,5 përqind, i ngjashëm me vitin e kaluar dhe se qeveria do të luftojë inflacionin. Shpenzimet e mbrojtjes do të rriten rreth 11 përqind.

"Ne duhet të përshpejtojë modernizimin e mbrojtjes kombëtare dhe forcave të armatosura, në mënyrë që të forcojmë aftësitë ushtarake të vendit. Ne duhet të mbrojmë me forcë sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial si dhe të garantojmë zhvillimin paqësor të vendit," tha kryeministri kinez.

Z. Wen premtoi gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin, duke thënë se qeveria duhet të përqëndrohet në pakësimin e konsumit të energjisë, ruajtjen e burimeve dhe mbrojtjen e ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja.

Gjatë këtij sesioni që është më tepër ceremonial, kreu i partisë komuniste Xi Jinping do të marrë zyrtarisht presidencën nga Hu Gjintao, ndërsa Li Keqiang do të pasojë zotin Wen si kryeministër.

Udhëheqja e re e Kinës përballet me thirrje gjithnjë e më të forta nga popullata për veprime konkrete në çështje të tilla si korrupsioni, ndotja, dhe të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG