Lidhje

Kina mohon përshirjen në dërgesat e paligjshme të naftës drejt Koresë së Veriut


Kina mohoi të ketë krijuar lehtësira për dërgesat e naftës drejt Koresë së Veriut në kundërshtim me sanksionet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sikurse e akuzoi një ditë më parë presidenti amerikan Donald Trump.

"Kina ka zbatuar plotësisht dhe me rreptësi rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe detyrimet ndërkombëtare", tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme Hua Çunying në një konferencë për mediat. "Ne kurrë nuk do të lejojmë qytetarët dhe sipërmarrjet kineze të angazhohen në aktivitete që shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit", tha ajo.

Pavarësisht nga këmbëngulja e Kinës se ajo po i zbaton sanksionet, autoritetet në SHBA, Korenë e Jugut dhe Japoni vazhdojnë të dyshojnë, se ekzistojnë rrjedhje të paligjshme. Megjithë mohimet e përsëritura nga ana e Pekinit kjo nuk e pengoi zotin Trump të shkruajë në tweeter dje se ishte "shumë i zhgënjyer me Kinën që po lejon naftën të shkojë drejt Koresë së Veriut".

Ndërkohë ministria e jashtme e Koresë së Jugut njoftoi se ka kapur një anije me flamur të Hong Kong-ut që po furnizonte me naftë në ujërat ndërkombëtare një anije të Koresë së Veriut, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Agjencia e lajmeve koreano-jugore “Yonhap”, që citonte zyrtarët e doganave, njoftoi se anija “Winmore Lighthouse” transferoi 600 ton naftë të rafinuar në një anije të Koresë së Veriut më 19 tetor. Koreja e Jugut e konfiskoi anijen në 24 nëntor ndërsa kalonte në ujërat e vendit.

Sipas së njëjtës agjensi, anija ishte marrë me qera nga “Billions Bunker Group”, një kompani tajvaneze. Destinacioni i deklaruar i anijes ishte Tajvani, por në fakt "anija furnizoi me naftë një anije të Koresë së Veriut “Sam Jong 2” dhe tre anije të tjera jo koreano-veriore në ujërat ndërkombëtare në detin e Kinës lindore".

Anija “Winmore Lighthouse” ndodhet në listën e zezë të anijeve që kanë propozuar SHBA për shkak të tregtisë së tyre të ndaluar me Korenë e Veriut.

Agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut “Yonhap” njoftoi se Seuli ka informuar SHBA-në pas "zbulimit të këtij veprimi të paligjshëm".

Dje Presidenti i SHBA-së Donald Trump akuzoi Kinën për lehtësirat që u krijon dërgesave me naftë në Korenë e Veriut, pavarësisht këmbënguljes së Kinës që nuk ka shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG