Pavarësisht nga kritikat e forta dhe të përditshme kundër veprimtarisë tregtare të Shteteve të Bashkuara, udhëheqësit kinezë duket në fakt se kanë nxjerrë mësime dhe po ndërmarrin masa reformuese të cilave u ishin shmangur prej vitesh.
Muajt e fundit, Kina ka nxjerrë ligje të reja për mbrojtjen e investimeve të huaja dhe të pronës intelektuale dhe ka vendosur dënime për kompanitë vendase që kanë detyruar partnerët e tyre të huaj të dorëzojnë informacion mbi teknologjinë. Qeveria është përpjekur të zbusë ndjesitë e brendëshme duke e bërë më të lehtë për kompanitë kineze të kenë qasje tek financimet.
Kina planifikon të çojë përpara legjislacionin e ri gjatë takimeve të saj vjetore në kuadër të Asamblesë Popullore, që nis punimet javën e ardhshme. Ky hap i institucionit legjislativ ka për qëllim t’u japë një zgjidhje të shpejtë mosmarrëveshjeve tregtare me Uashingtonin.
Analistët thonë se Xi Jiping po përdor presionin amerikan si një justifikim për të nxitur agjendën e tij të reformave dhe të çajë rezistencën me të cilën po përballet nga një pjesë e Partisë Komuniste dhe ndërmarrjeve shtetërore.
"Por pa nxitjen e Donald Trump-it dhe administratës amerikane, reformat nuk do të ndodhnin kaq shpejt sa në dy muajt e fundit," thotë Sourabh Gupta, i institutit për studime kinezo-amerikane me bazë në Uashington.
Kjo është ironike pasi zyrtarët kinezë dhe mediat zyrtare kanë zhvilluar një fushatë të fortë kundër veprimeve tregtare të administratës Trump, duke i quajtur ato si sinjal i "mënyrave diktatoriale" të drejtimit nga ana e Presidentit amerikan dhe "arrogancës amerikane".
Presioni amerikan krijoi frikë për humbjen e investimeve të huaja në qarqet zyrtare të Pekinit. Qeveria bëri një lëvizje të vendosur nëntorin e kaluar, duke imponuar 38 ndëshkime të ndryshme ndaj kompanive kineze që i detyronin partnerët e tyre të huaj për të dorëzuar informacion mbi teknologjinë. Autoritetet kineze gjithashtu kanë premtuar të miratojnë një ligj të plotë për të siguruar mbrojtjen e pronësisë intelektuale për investitorët e huaj.
Përveç kësaj, Kina po harton një ligj të ri për investimet e huaja që synon të "krijojë dhe përmirësojë mekanizmin që lehtëson investimet e huaja" dhe të krijojë një ambient biznesi "të hapur, të drejtë dhe transparent" për kompanitë e huaja, njoftoi ministria e Tregtisë.
Një studim i kohëve të fundit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë zbuloi se shumica e anëtarëve të saj ishin në favor të mbajtjes së tarifave në fuqi, derisa të dyja palët të arrijnë një marrëveshje. Gjatë një njoftimi për shtyp të martën kjo dhomë bëri të ditur se rreth 10 për qind e biznesit ishin në favor të rritjes së tarifave nga 10 në 25 për qind, pas 1 marsit. 43 për qind mbështesin idenë e mbajtjes në fuqi të tarifave në masën 10 për qind për 60 ditë, derisa Pekini dhe Uashingtoni të arrijnë një marrëveshje.
Sondazhi u krye përpara se Presidenti Donald Trump të njoftonte vendimin se po e shtynte afatin e 1 marsit, që parashikonte një rritje të re tarifash ndaj importeve kineze.
Në Kinë, shumë analistë i shohin kërkesat amerikane për ristrukturimin e tregtisë dhe politikave industriale si një mundësi të madhe për të nxitur tranzicionin e vendit nga një vend që mbështetjen më të madhe e ka tek eksportet, në një ekonomi ku dominon shërbimi.
"Nëse Kina nuk ndërmerr reforma strukturore, do të jetë e vështirë të arrihet ajo që quhet ëndra kineze dhe me siguri do të bjerë në kurthin e të ardhurave mesatare", thotë Hu Xingdou, profesor i ekonomisë në Institutin e Teknologjisë në Pekin.
Facebook Forum