Lidhje

Kina zvogëlon furnizimin e Japonisë me materiale të rralla natyrore


Kina zvogëlon furnizimin e Japonisë me materiale të rralla natyrore
Kina zvogëlon furnizimin e Japonisë me materiale të rralla natyrore

Me sa duket Kina ka ndalur ose pakësuar sasinë e të ashtuquajturave “materiale të rralla të natyrës” që eksporton në Japoni, si rezultat i refuzimit nga Tokioja për të kërkuar zyrtarisht ndjesë për ndalimin e kapitenit të një anijeje kineze peshkimi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ira Mellman njofton se megjithëse që Kina e mohon të ketë ndërmarrë një hap të tillë, pakësimi i eksportit të këtyre materialeve mund t’i shkaktojë probleme madhore jo vetëm Japonisë por edhe vendeve të tjera:

Kina nxjerr 93 për qind të këtyre materialeve të rralla, që shiten për qindra dollarë për kilogram. Pjesa më e madhe e tyre shitet në Japoni. Këto materiale përdoren për të prodhuar artikuj që nga xhami për panelet diellore e deri tek motorët e makinave hibride si Toyota Prius.

Xhef Grin është lobist në Washington. Ai po përpiqet të bindë Kongresin t’u krijojë kushte më të favorshme kompanive amerikane që t’i kthehen nxjerrjes së këtyre materialeve të rralla:

“Këto janë lëndë që disa specialistë të industrisë i identifikojnë me termin ‘metale teknologjike’. Ato janë përbërësit që i bëjnë magnetet më të fortë, mundësojnë prodhimin e pajisjeve të vogla elektronike dhe produkteve të shpejta. Pra janë gjenerata e ardhshme e metaleve të cilësisë së lartë. Pa këto lëndë, iPhone nuk do të ishte aq i vogël dhe turbinat e erës nuk do të prodhonin aq energji sa prodhojnë tani”.

Dikur Shtetet e Bashkuara i prinin botës në prodhimin e këtyre lëndëve të rralla. Por tani minierat janë mbyllur. Zoti Grin thotë se problemi mbetet kostoja e operacioneve.

“Mund të kushtojë rreth gjysmë miliard dollarë vetëm për të filluar nxjerrjen, pra të hapen minierat dhe të përgatiten materialet në mënyrë që të fillojë prodhimi. Problemi aktual është se kinezët kanë aq kontroll mbi tregun e këtyre lëndëve, saqë kur dikush tjetër do të investojë në këtë treg, do të ndeshet me problemin që u vërejt në vitet ’90, kur tregu u mbyt me lëndë të tilla me çmim të ulët për të nxjerrë nga loja investitorët e tjerë. Pra problemi qëndron tek manipulimi i tregut nga kinezët, përveç sfidave teknologjike të kësaj industrie tepër komplekse”.

Në Pekin, gazeta e kontrolluar nga qeveria China Daily njofton se në gjysmën e dytë të këtij viti ka një pakësim në masën 40 për qind të kuotës së eksporteve të materialeve të rralla, por nënvizon se ky pakësim nuk ka lidhje me mosmarrëveshjet mes Pekinit dhe Tokios.

Artikulli thekson se nevojat e brendshme për këto materiale e bëjnë të papërballueshëm një masë të tillë eksportesh jo vetëm për Japoninë, por edhe për Shtetet e Bashkuara:

“Disa nga sistemet tona të mbrojtjes mund të mos kenë materialet e nevojshme. Për shembull, raketat e telekomanduara, radarët apo sisteme të tjera mbrojtëse. Është vështirë të identifikosh një sistem që nuk përdor metale të tilla”.

Javën e kaluar, një komision i Kongresit amerikan miratoi një projekt-ligj që, ndër të tjerat, u garanton kredi kompanive amerikane që synojnë të hapin miniera për nxjerrjen e materialeve të rralla. Kryetari i Komisionit Bart Gordon thotë se ka rëndësi jetike që Shtetet e Bashkuara të fillojnë të nxjerrin vetë materiale të tilla:

“Mendoj se do të ishte gabim ta rrezikonim mbrojtjen tonë kombëtare dhe sigurinë tonë ekonomike duke u bazuar tek vullneti i mirë i Kinës, ose të shpresojmë se Pekini do të konkurojë në mënyrë të hapur e të drejtë në tregun e këtyre materialeve”.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po përgatit një raport mbi ndikimin që ka varësia amerikane tek eksportet kineze të materialeve të rralla. Kjo çështje do të jenë nën shqyrtim edhe nga një komision i Senatit amerikan.

XS
SM
MD
LG