Kina ka lejuar rënien e vlerës së monedhës së saj për të dytën ditë rradhazi, një manovër e papritur që ka tronditur tregjet globale. Rënia e vlerës së Juanit po ashtu mund të shtojë tensionet mes Kinës dhe konkurentëve të saj tregtarë.
Vlera e juanit ra 1.6 përqind sot pas rënies afro 2 përqind të martën, që ishte më e madhja brenda një ditë në 10 vjet.
Banka qendrore e kinës, e cila kontrollon monedhën, e cilësoi manovrën si përpjekje e përkohëshme që ka synim ta bëjë monedhën kineze më të pëlqyeshme në treg.
Ndryshimi vjen pas rënies së eksporteve dhe trazirave në bursën e ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Zhang Yuzhong është me Ministrinë e Tregtisë së Kinës.
“Situata aktuale nuk do të ketë ndikim të qartë në fushat e tregtisë dhe investimeve. Mendoj se rënia e vlerës së monedhës do të ketë efekt stimulues tek eksportet.”
Investitorët në Azi reaguan negativisht sot ndërsa çmimet e aksioneve ranë në bursat e Hong Kongut, Shangait dhe Tokjos.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkura reaguan me kujdes lidhur me zhvlerësimin e juanit. Amerika prej kohësh e ka akuzuar Pekinin se po e mban të zhvlerësuar monedhën për t’u dhënë eksporteve të saj avantazhe të padrejta. Deklarata e Departamentit amerikan të Thesarit thotë se është shumë herët për të përcaktuar nëse lëvizja e Pekinit do të ketë ndikime. Fondi Monetar Ndërkombëtar u tregua më optimist duke thënë se zhvlerësimi duket një hap i mirëpritur.