Lidhje

Lamtumira e fundit për disidentin kinez Liu Xiaobo


Hiri i disidentit kinez, i Nobelistit për Paqen, Liu Xiaobo u shpërnda në det të shtunën, pas një ceremonie që ishte nën vëzhgimin e qeverisë, në qytetin kinez të Shenyangut.

Liu, i burgosuri më i njohur i Kinës për të drejtat e njeriut, vdiq të enjten në moshën 61 vjeçare pas një beteje me kancerin e mëlçisë. Vdekja e tij tërhoqi po aq vemendje botërore, sa edhe jeta e tij.

Ai i kaloi tetë vitet e fundit si i burgosur i ndërgjegjes dhe vdiq në një spital në Shenyang, ku ishte dërguar nga qelia e burgut të tij në fazën përfundimtare të sëmundjes. Zyrtarët në Shenyang njoftoi se shkaku i vdekjes ishte “dështim i disa organeve”.

Kryetarja e komitetit norvegjez Nobel tha më parë kësaj jave se qeveria kineze mban një “përgjegjësi të madhe” për vdekjen e tij.

“Ne e konsiderojmë shumë shqetësues faktin se Liu Xiaobo nuk u transferua në një vend ku mund të merrte trajtim të përshtatshëm mjekësor para se sëmundja të arrinte në fazën e fundit”, tha Berit Reiss-Andersen. “Qeveria kineze mban përgjegjësi të madhe për vdekjen e tij të parakohshme”, - tha ajo në një deklaratë me email.

Kina ka paraqitur ankesa kundër Gjermanisë, Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Komisionerit të Lartë të të Drejtave të Njeriut të OKB-së për shkak të kritikave lidhur me trajtimin e vdekjes së zotit Liu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG