Lidhje

Skandali në Nju Xhersi, guvernatori Christie mbrohet


Guvernatori i shtetit Nju Xhersi, Chris Christie, njëkohësisht kandidat i mundshëm për president, kërkoi falje për një skandal trafiku që mund të dëmtojë imazhin e tij. Guvernatori republikan mbajti dje një konferencë shtypi, ku tha se nuk kishte dijeni për shkeljet që dyshohet se kanë bërë disa prej vartësve të tij më të afërt.

Ai tha gjithashtu se kishte pushuar ata vartës që kishin gënjyer. Guvernatori u mbrojt ndaj akuzave se ai është arrogant që përdor pushtetin për hakmarrje politike.

Guvernatori Chris Christie kërkoi falje publike për përfshirjen e ekipit të tij në një skandal me motive politike dhe që ka të bëjë me mbylljen e pjesshme të një ure, ura me më shumë trafik në të gjithë vendin.

"Ndihem i turpëruar dhe i poshtëruar nga sjellja e disa njerëzve në ekipin tim. Nuk ka dyshim se sjellja e tyre është krejtësisht e papranueshme dhe tregon mungesë respekti për rolin e qeverisë dhe për njerëzit që na kanë besuar t'u shërbejmë," tha zoti Christie.

Për katër ditë në muajin shtator, disa korsi në urën George Washington që lidh Nju Xhersin dhe qytetin e Nju Jorkut, u mbyllën papritur duke paralizuar trafikun. Në një ditë të zakonshme, në këtë urë kalojnë 300,000 makina. Guvernatori Christie ka mohuar akuzat se ai ose ekipi i tij ka urdhëruar mbylljen e korsive për të ndëshkuar kryebashkiakun demokrat Mark Sokolich të qytetit Fort Lee në shtetin Nju Xhersi, pasi ky nuk ka mbështetur rizgjedhjen e guvernatorit.

"Me sa mend guxon dikush të paralizojë urën më të ngarkuar të botës për të më dhënë mua një mesazh," thotë zoti Sokolich.

Por e-mailet e njërës prej ndihmëseve të guvernatorit, të bëra publike kohët e fundit, konfirmojnë përfshirjen e ekipit të tij. Guvernatori tha se nuk kishte dijeni dhe nuk ishte i përfshirë vetë, por merrte përgjegjësinë për ata që autorizuan mbylljen e korsive në urë. Ai ka shkarkuar një ndihmëse dhe ka tërhequr mbështetjen për ish-menaxherin e fushatës së tij për t'u bërë kryetar i partisë republikane të Nju Xhersit.

Zoti Christie, një guvernator popullor dhe kandidat i mundshëm republikan për president, mohoi gjithashtu se merret me hakmarrje politike.

"Sepse unë jam ai që jam, por unë nuk jam arrogant. Mund t'ju them dhe këtë mund t'jua thonë edhe bashkëpunëtorët e mij të vjetër, se unë jam i rreptë, por gjatë katër vjetëve të fundit kam treguar se jam i gatshëm për kompromise, jam i gatshëm për të punuar me të tjerët," tha zoti Christie.

Këshilltari politik republikan Ron Bonjean, thotë se për të riparuar imazhin e dëmtuar si guvernator, zoti Christie duhet ta shoqërojë ndjesën që kërkoi me përpjekjet për t'u lidhur më shumë me publikun.

"Çelësi është që ai të tregohet i hapur ndaj të dyja partive, të tregojë ngrohtësi, të luftojë me personalitetin konfrontuese që ka si njeri," thotë zoti Bonjean.

Sipas zotit Bonjean, nëse nuk del ndonjë provë tjetër që të tregojë se zoti Christie është i përfshirë vetë në skandal, ndjesa që kërkoi mjafton që ai të ketë ende shpresa për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
XS
SM
MD
LG