Lidhje

CIA dhe raporti i Senatit


Gjatë një konference të rrallë për shtyp, John Brennan, drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, mori në mbrojtje agjencinë, pas publikimit të një raporti të Senatit ku thuhet se agjentët kanë përdorur torturën në luftën kundër terrorizmit. Por ai tha gjithashtu se agjencia disa herë nuk veproi siç duhet. Është një pohim i cili vjen ndërkohë që po shtohen thirrjet për t'i vënë CIA-n dhe Shtetet e Bashkuara para përgjegjësisë.

Drejtori i CIA John Brennan mbrojti agjencinë e tij, duke thënë se ajo u përpoq të bënte atë që duhej ndërsa përballej me alternativa tejet të vështira.

Por ai pranoi se disa agjentë i kaluan caqet.

"Në një numër të kufizuar rastesh, zyrtarët e agjencisë kanë përdorur teknika të marrjes në pyetje që nuk ishin të autorizuara, që ishin të neveritshme dhe që me të drejtë duhet të kritikohen nga të gjithë. Gjithashtu, ne nuk vepruam si duhet kur erdhi puna për t'i vënë para përgjegjësisë disa oficerë për gabimet e tyre."

Zoti Brennan përsëriti argumentet se të ashtuquajturat "seanca të zgjeruara të marrjes në pyetje" - duke përfshirë simulimin e mbytjes me ujë dhe privimin e gjumit - mund të kenë sjellë ndryshim përsa i përket rezultatit.

"Të paraburgosurit të cilët ishin viktima të këtyre teknikave të marrjes në pyetje dhanë informacione që ishin të dobishëm dhe që u përdorën në operacionin përfundimtar për ndjekjen e bin Ladenit."

Zoti Brennan nuk tha nëse ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë midis këtyre seancave të marrjes në pyetje dhe vrasjes së kreut të al-Kaidës, Osama Bin Laden.

Pohimet e shefit të CIA-s nuk ka të ngjarë të ndalin thirrjet për të mbajtur përgjegjës CIA-n dhe persona të tjerë për praktikat që edhe OKB-ja i cilëson si tortura.

"Kjo duhet të jetë fillim i një procesi.Çështja e përgjegjësisë është me rëndësi kritike."

Përgjegjësia mund të jetë e vështirë të dalë brenda SHBA. Dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se Departamenti i Drejtësisë i ka parë tashmë provat në raportin e Senatit.

"Prokurorët federalë kanë thënë se nuk kanë prova të mjaftueshme për të paditur dikë."

Sa për përpjekjet e mundshme ndërkombëtare, edhe kjo është e ndërlikuar, thotë Richard Kelsey i Universitetit George Mason nëpërmjet Skype-it.

"Çfarëdo që mund të bëhet ligjërisht është gjithmonë ndryshe nga sa mund të arrihet praktikisht dhe politikisht."

Ndonëse nuk ka gjasa, hetimet e reja në vendet ku CIA operonte të ashtuquajturat "objekte të zeza", si Polonia, Rumania dhe Afganistani, mund të bëjnë që çështja t'i çohet Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Por vendet që kanë ligje lidhur me atë që njihet si juridiksion universal mund të përpiqen të kërkojnë drejtësi në gjykatat e tyre.

Profesorja e Universitetit Amerikan dhe ish-zyrtare e Departamentit të Drejtësisë Jennifer Daskal, komentoi nëpërmjet Skype-it:

"Sigurisht po të isha ndonjë prej zyrtarëve të cituar në raport si dikush i përfshirë në krijimin dhe mbikëqyrjen e këtij programi, nuk do të udhëtoja në Evropë, të paktën tani."

Është madje e mundur që raporti i Senatit të lejojë të ndaluarit të kërkojnë dëmshpërblim në SHBA. Zëvendës Drejtorja e organizatës Human Rights Watch, Andrea Prasow, thotë se ata mund ta bënin këtë duke ngritur padi civile për të kërkuar kompensim.

"Janë 500 faqe që dokumentojnë me shumë hollësi çdo shkelje. Viktimat e përmendura në raport duhet të jenë në gjendje të ngrejnë padi në gjyq."

Tani për tani, kemi të bëjmë me një gjykim të një lloji tjetër për SHBA dhe për CIA-n, në gjykatën e opinionit publik.

XS
SM
MD
LG