Lidhje

Pakistan, çifti i liruar amerikano-kanadez kthehet në Perëndim


Zyrtarë të ushtrisë së Pakistanit thanë se një çift amerikano-kanadez dhe tre fëmijët e tyre sot janë nisur me avion drejt Perëndimit, pas pesë vjetësh të mbajtur peng nga talebanët.

Duke vepruar në bazë të një informacioni të zbulimit amerikan, trupat pakistaneze shpëtuan shtetasen amerikane Caitlan Coleman, 31 vjeç, dhe bashkëshortin e saj kanadez, Joshua Boyle, 33 vjeç, në rajonin fisnor Kurram afër kufirit afgan.

Presidenti Donald Trump vlerësoi lirimin e familjes nga "robëria që ata përjetuan nën rrjetin Hakani, një organizatë terroriste që ka lidhje me talebanët".

"Bashkëpunimi i qeverisë pakistaneze është një shenjë se ajo po e respekton kërkesën e Amerikës që të bëjë më shumë për sigurinë në rajon. Dhe unë dua të falënderoj qeverinë pakistaneze dhe Pakistanin. Ata kanë punuar shumë për këtë dhe besoj se po fillojnë t’i respektojnë Shtetet e Bashkuara përsëri. Kjo është shumë e rëndësishme. Unë mendoj se shumë vende tani kanë filluar t’i respektojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëri. Shpresojmë të shohim këtë lloj bashkëpunimi për të ndihmuar në lirimin e pengjeve të mbetura dhe në operacionet tona të përbashkëta kundër terrorizmit në të ardhmen".

Pentagoni nuk dha hollësi mbi operacionin e lirimit të zonjës Coleman dhe familjes së saj, por tha se është një "shenjë e mirë" për marrëdhëniet me Pakistanin.

"Do të shtoja vetëm se si pjesë e strategjisë së re në Azinë Jugore është edhe elementi i një strategjie rajonale për të cilën ka folur Sekretari i Mbrojtjes. Ne e konsiderojmë lirimin e shtetasve tanë në Pakistan nga forcat pakistaneze si një zhvillim shumë të favorshëm, në përputhje me këtë linjë. Ne e shohim këtë si diçka shumë pozitive nga Pakistani dhe si një hap përpara", tha Gjeneral Lejtnanti amerikan Keneth F. McKenzie.

Coleman dhe Boyle u zhdukën në vitin 2012, ndërsa po bënin alpinizëm në Afganistan. Talebanët afganë më vonë morën përgjegjësinë për rrëmbimin e tyre. Coleman ishte shtatzënë kur u rrëmbye dhe i lindi të tre fëmijët, ndërsa po mbahej peng.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG