Prokurorja e Përgjithshme amerikane Loretta Lynch tha të hënën se Departamenti i Drejtësisë do të hapë hetime mbi Departamentin Policor të Çikagos për të zbuluar nëse ky department ka shkelur Kushtetutën me akte të dhunshme.
Hetimet pasojnë publikimin këtë muaj të një video-klipi ku është regjistruar vrasja e një 17-vjeçari nga një polic në tetor 2014.
Prokurorja Lynch tha se hetimet mbi praktikat e ndjekura nga departamenti do të përqëndrohen në përdorimin e praktikave të dhunës për të parë nëse ka pasur vëmendje të panevojshme tek individë bazuar në përkatësi racore apo etnike.
Polici Jason Van Dyke u akuzua me vrasje me paramendim më 24 nëntor, më shumë se një vit pas vrasjes së Laquan McDonald, vetëm pak orë pasi u bë publik video-klipi i regjistruar nga makina policore ku shihet polici duke qëlluar për vdekje adoleshentin.
Videoja tregon adoleshentin duke u larguar nga policët në mes të rrugës. Polici qëllon menjëherë sapo del nga makina policore dhe vazhdon ta qëllojë adoleshentin edhe pasi ai rrëzohet në tokë.
Publikimi i video-klipit shkaktoi protesta në qytet dhe akuza nga demonstruesit se departamenti policor është munduar të fshehë të vërtetën për vrasjen.