Lidhje

McCain: Dekriminalizimi i prostitucionit, një hap pas


Punonjësit e seksit janë një nga grupet më të mënjanuara të shoqërisë dhe nuk gëzojnë pothuajse asnjë mbrojtje ligjore. Amnesty International ka propozuar që prostitucioni të dekriminalizohet si një mënyrë për të përmirësuar të drejtat e njeriut të atyre që e ushtrojnë atë dhe për të ulur rrezikun e shkeljes së të drejtave të tyre. Megjithatë, shumë mbrojtës të së drejtave të njeriut thonë propozimi i Amnesty International legalizon shfrytëzimin e tyre. Cindy McCain që ka ndërmarrë një rol qendror për t’i dhënë fund trafikut njerëzor, thotë se ka alternativa të tjera përveç legalizimit.

Amnesty International thotë se dekriminalizimi i prostitucionit do të thotë që punonjësit e seksit të mos detyrohen të jetojnë jashtë ligjit dhe të mos trajtohen më si “kriminelë”, duke zbutur kështu rrezikun e taktikave agresive të policisë dhe duke u dhënë mundësinë që të kërkojnë një mbrojtje më të mire nga policia.

Por Cindy McCain, që drejton Këshillin për Trafik Njerëzor tek Instituti McCain për Udhëheqje Ndërkombëtare, thotë se ky propozim do të legalizonte shfrytëzimin e punonjësve të seksit.

“Shumë nga punonjësit e seksit kanë filluar të prostituohen që kur ishin fëmijë. Ata që duan ta legalizojnë nuk kuptojnë pasojat tek fëmijët. Shpesh, kur ata fillojnë, janë ose viktima të sklavërisë seksuale, nuk kanë mundësi tjetër të mbajnë familjen në moshën 12-13 vjeç ose janë të rrëmbyer dhe përfundojnë në skllavëri seksuale dhe pa u kuptuar bëhen 30 vjeç dhe kanë qenë në prostitucion që kur ishin 12 vjeç. Legalizimi nuk është mënyra e duhur. Ajo që duhet bërë është kriminalizimi i rreptë i klientëve”.

Në një opinion për gazetën the Washington Post, Cindy McCain shkruante se shumë punonjës të seksit hasin një dhunë të jashtëzakonshme. Ajo thotë se me propozimin e vet Amnesty International përçon mesazhin se prostitucioni është një zgjedhje e sigurt dhe e pranueshme dhe se ata që paguajn për seks, kanë të drejtën njerëzore ta bëjnë një gjë të tillë. Ajo u bën thirrje autoriteteve që të marrin masa kundër trafikantëve të qenieve njerëzore, që ajo thotë se janë kriminelë.

“Ata duhet të ndjekin kartelet që i marrin këto vajza dhe i detyrojnë të marrin pjesë në këtë tregëti. Është krim i organizuar. Është abuzim me fëmijët kur bëhet fjalë për minorenë. Ne duhet të penalizojmë ata që e shkaktojnë këtë tregëti, si edhe klientët. Janë të njëjtët persona që trafikojnë organe kafshësh, drogë, armë dhe qenie njerëzore”.

Në Gjeorgji, Kosovë dhe vende të tjera që kanë pasur konflikte, zonja McCain thotë se shumë nga vajzat e reja janë detyruar të hyjnë në tregëtinë e seksit dhe janë trafikuar jashtë vendit të tyre. Ajo thotë se në vende si Kosova mund të shohësh pasojat e luftës tek trafiku i qenieve njerëzore.

Zonja McCain thotë se kriza e emigrantëve në Evropë është një tragjedi e ngjashme. Ajo shton se njerëzit kanë arsye legjitime për t’u arratisur nga vendi por se me këtë lloj krize vjen edhe një element tjetër, trafikimi për arsye seksuale.

Ajo dhe avokatë të tjerë të të drejtave të njeriut thotë se dekriminalizimi i prostitucionit do të ishte një hap pas në luftën kundër trafikut njerëzor në gjithë botën.

XS
SM
MD
LG