Lidhje

Kuvendi republikan, ndarje në vend të unitetit


Ndarja në vend të unitetit ishte dominuese në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve të enjten ndërsa kritikat e senatorit të Teksasit Ted Cruz ndaj kandidatit presidencial Donald Trump vazhduan jehonën në ditën e fundit të kuvendit katër ditor.

Duke folur për delegacionin e shtetit të tij sot në kuvendin që po zhvillohet në Klivland, Cruz tha se nuk do të votojë për kandidaten demokrate Hillary Clinton, por nuk pranoi të thonë nëse do të votonte për zotin Trump.

"Nuk e kam zakon të mbështes njerëzit që sulmojnë bashkëshorten time apo babain tim," tha Cruz, duke shtuar se refuzon të veprojë si “një servil dhe të thotë faleminderit shumë për komentet negative ndaj gruas dhe babait."

Gjatë një fushate të ashpër për emërimin presidencial të partisë republikane, Trump ndërmorri sulme personale kundër bashkëshortes së Cruz, Heidi, dhe babait të tij, Rafael.

Trump u përgjigj ndaj kritikave të Cruz në Twitter duke thënë se bashkimi fiton brenda partisë republikane. "Përveç një grupi të vogël që kanë vuajtur nga humbje të turpshme dhe masive, partia është shumë e bashkuar!"

Komentet e Cruz pasojnë fjalimin e mbrëmshëm në kuvend që solli fëshkëllima në arenën Quicken Loans kur ai dështoi të përfshinte në të një mbështetje të qartë për zotin Trump.

Cruz ishte ndër të fundit që u tërhoq nga gara për kandidaturën, gjatë të cilës Trump i vuri nofkën "Tedi Gënjeshtar." Por si shumë të tjerë, ai u shfaq në kuvendin e partisë në Klivland për t’ju drejtuar zyrtarëve të partisë dhe miliona njerëzve që e ndjekin kuvendin përmes televizionit.

Refuzimi i Ted Cruzit për t’i dhënë mbështetje kandidatit Donald Trump në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve lidhet ndoshta me një fushatë të mundshme presidenciale nga ana e tij në vitin 2020 nëse Donald Trump nuk fiton në nëntor.

XS
SM
MD
LG