Lidhje

Tërheqja e SHBA nga Marrëveshja e Parisit


Presidenti Donald Trump shpalli dje se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja e rëndësishme ndërkombëtare që angazhon thuajse të gjitha vendet e botës të ndërmarrin veprime për të frenuar ngrohjen globale. Vendimi i zotit Trump është pritur me zhgënjim nga ambientalistët, vendet aleate dhe një numër i ndjeshëm udhëheqësish të njohur të biznesit.

Katër muaj pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump mbajti një premtim të fushatës:

"Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga Marrëveshja e Parisit pët Klimën,” shpalli ai.

Argumenti i tij ishte se marrëveshja e Parisit i rëndon Shtetet e Bashkuara me rregullore të vështira që do të pengonin rritjen ekonomike.

Siç edhe parashikohej, veprimtarët e mjedisit dhe ish-zyrtarë të administratës Obama shprehën zhgënjim ndaj zhbërjes së përpjekjeve të tyre të vështira dhe shumëvjeçare për t'i përfshirë Shtetet e Bashkuara në një pakt global për klimën.

"SHBA kanë qenë gjithmonë negociatori më i fuqishëm dhe më progresiv në këtë fushë. Nëse negociatorët e SHBA nuk janë në tryezë, atëherë mungon një nga zërat më të fortë dhe më bindës për të garantuar që marrëveshja e Parisit ta përmbushë këtë premtim,” thotë Andrew Light, ish-zyrtar i administratës Obama.

Edhe më befasues ishte fakti që krerët e disa prej bizneseve amerikane më më emër dolën me një reklamë që zinte një faqe të plotë në gazetat kryesore, duke kundërshtuar pohimet e zotit Trump se marrëveshja do t’i kushtonte Amerikës vende pune dhe aftësi konkurruese.

"Kompanitë më fitimprurëse në botë janë kompani amerikane, ato janë edhe më inteligjentet, si Apple, Google, Microsoft, Ford. Ata të gjithë po bëjnë investime masive në energjinë e pastër, sepse nuk duan të mbeten prapa,” thotë Amit Rosen i Universitetit “George Washington”.

Disa pjesëtarë të rrethit të brendshëm të zotit Trump, duke përfshirë vajzën Ivanka, dhëndrin Jared Kushner dhe anëtarë kyç të kabinetit, thuhet se janë shprehur me forcë kundër tërheqjes nga marrëveshja për klimën. Por mbështetësit thonë se gjithçka reduktohet te një faktor i vetëm: ekonomia.

"Ideja e tij është se rregullat dhe politikat e administratës së mëparshme për klimën dhe energjinë po dëmtonin ekonominë amerikane, po dëmtonin njerëzit, duke ulur shtimin e vendeve të punës dhe se kjo nuk ishte në interes të Shteteve të Bashkuara", thotë Brett Schaeffer i Fondacionit “Heritage”.

Megjithëse zoti Trump tha se ishte i gatshëm të negocionte për të rihyrë në Marrëveshjen e Parisit me kushte të reja, vendimi i tij pritet të ketë pasoja të gjera. Investitori miliarder Elon Musk, themelues i kompanisë “Space X”, reagoi menjëherë. Ai dha dorëheqjen nga tre komisione këshillimi pranë Shtëpisë së Bardhë, në të cilat ishte emëruar nga Presidenti Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG