Lidhje

Fondacioni Clinton, transparencë për donacionet


Fondacioni Clinton po pranon se “ka bërë gabime” në raportet financiare lidhur me donacionet që ka marrë nga qeveri të huaja, në kohën kur Hillary Clinton ishte Sekretare Shteti. Kjo çështje ka rrezikuar që të bëhet problem politik në fillimet e fushatës së zonjës Clinton për zgjedhjet presidenciale.

Fondacioni Clinton thotë se dhënia e informacioneve shpjeguese për donacionet huaja po bëhet më transparente se kurrë, ndërsa ish Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton po e intensifikon fushatën për zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Kritikët kanë vënë në pikëpyetje transparencën e saj për fondet dhe kanë përmendur mundësinë që të ketë konflikt interesi.

Përmes një deklarate, drejtuesja në detyrë e fondacionit tha se grupi do të pranojë donacione vetëm nga një numër i vogël qeverish. Ajo tha se kur zonja Clinton u bë sekretare shteti, fondacioni ndërmori hapa të paprecedentë për të shmangur ndonjë konflikt interesi.

Në listën e donatorëve, sipas fondacionit përfshihen kontribute prej 10-25 milionë dollarësh nga Arabia Saudite, Norvegjia, Australia dhe Republika Domenikane. Shtete të tjera që kanë kontribuar tek fondacioni janë: Kuvajti, Irlanda dhe Holanda me 5-10 milionë dollarë, Katari: 1 milion dhe Emiratet e Bashkuara Arabe 5 milionë dollarë.

Zonja Clinton nuk është përfshirë në fondacion, ndërsa zhvillon fushatën presidenciale. Bashkëshorti i saj, Bill Clinton, e krijoi fondacionin pasi përfundoi mandatin e tij të dytë si president, në vitin 2001. Fondacioni është fokusuar tek një numër nismash, si nxitja e arsimit dhe mundësive ekonomike për gratë dhe vajzat, trajtimi i ndryshimeve klimatike dhe SIDA.

.

XS
SM
MD
LG