Ish-kandidatja për presidente, Hillary Clinton kritikoi ashpër të mërkurën retorikën e Presidentit Donald Trump për Korenë e Veriut, në një fjalim në Korenë e Jugut.
“Nuk ka arsye që të jemi konfliktualë dhe agresivë”, tha zonja Clinton në Forumin Botëror të Dijes në Seul.
“Kërcënime arrogante”
Ish-Sekretarja e Shtetit, Clinton kritikoi cilësimin që i bëri presidenti Kim Jong Un-it si “njeriu i vogël i raketave” dhe kërcënimet e tij për t’iu përgjigjur një provokimi nga Koreja e Veriut, me “zjarr dhe forcë”.
“Ndërsa fati i miliona vetëve varet nga zgjidhja diplomatike e krizës në Korenë e Veriut, duhet të jetë e vetëkuptueshme që kërcënimet arrogante për të filluar një luftë, janë të rrezikshme dhe dritëshkurtër”, tha ajo.
Zonja Clinton shtoi se “retorika me Kim Jong Unin, është në favorin e tij” dhe i jep udhëheqjes së Phenianit, vëmendjen ndërkombëtare që ai e do aq shumë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson këtë javë u doli në mbrojtje postimeve të zotit Trump në Twitter dhe komenteve publike, si përpjekje për “të krijuar një atmosferë lëvizjeje”, për të çuar përpara diplomacinë.
Diplomaci detyruese
Ndërsa zonja Clinton nuk është dakord me stilin agresiv të Presidentit Trump, ajo dukej se e mbështeti në përgjithësi strategjinë për diplomaci detyruese, për të ushtruar trysni ndaj qeverisë koreano-veriore për të hequr dorë nga programi i armëve bërthamore.
Ajo ishte dakord që përparimi i shpejtë i Koresë së Veriut drejt zhvillimit të një rakete balistike ndër-kontinentale me armë bërthamore, me rreze që mund të arrijë deri në pjesë të Shteteve të Bashkuara, përbën një rrezik ekzistencial sigurie ndaj Shteteve të Bashkuara.
Por ish-sekretarja e Shtetit nuk ofroi një alternativë të mundshme për të parandaluar provat e mëtejshme, nuk sugjeroi ndonjë nxitje ose lëshim për të lehtësuar bsiedimet dhe nuk bëri komente për propozimin kinez apo rus për të ngrirë programin bërthamor në këmbim të pezullimit të stërvitjeve ushtarake amerikane dhe koreano-jugore.
Ajo i bëri jehonë administratës së Presidentit Trump duke thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të rrisë sanksionet ekonomike ndaj Koresë së Veriut, për të detyruar Kim Jong Unin që të çnuklearizohet ose përndryshe të përballet me falimentim, që Kina duhet të bëjë më shumë përpjekje për zbatimin e sanskioneve dhe se ndërkohë aleatët e Shteteve të Bashkuara duhet të përdorin masa të forta ushtarake frenimi.
Shtet bërthamor “De facto”
Zonja Clinton tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të reagojnë me force “proporcionale” ndaj provokimit koreano-verior, ndërsa presidenti Trump ka thënë se SHBA duhet “ta shkatërrojë krejtësisht Korenë e Veriut”, nëse sulmohet prej saj.
Çdo masë parandaluese ushtarake për të eliminuar objektet koreano-veriore bërthamore ose të raketave, mbart rrezikun e hapjes së një lufte që mund të rrënonte dhe destabilizonte rajonin. Por një numër udhëheqësish dhe analistësh thonë se vetëm sanksionet nuk do ta detyrojnë Phenianin që të heqë dorë nga aktivitetet bërthamore, sidomos pas gjuhës kërcënuese të zotit Trump.
“Mendoj se duhet të pranojmë realitetin se duhet të jetojmë me një Kore të Veriut me armë bërthamore, për një kohë të pacaktuar. Përsa i takon anës praktike, çnuklearizimi nuk është më objektiv realist”, tha Gary Samore, një ish-koordinator për kontrollin e armëve, gjatë administratës së ish-Preisdentit Barack Obama, që aktualisht është profesor në Universitetin e Harvardit.
Sigurimi i aleatëve
Zonja Clinton tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuar duhet të jenë një forcë e qendrueshme, e vazhdueshme dhe e besueshme për ruajtjen e paqes në Azi dhe se qëndrimi i zotit Trump ka qenë i pakujdesshëm dhe kundërproduktiv.
Aleatët e Uashingtonit, tha ajo, kanë shprehur shqetësimin nëse mund të mbështeten tek Shtetet e Bashkuara, duke pasur parasysh kritikat e kaluara të zotit Trump për tregëtinë e pandershme dhe kontributin e pamjaftueshëm të mbrojtjes për të mbajtur forcat amerikane në rajon.
Presidenti Trump pritet të bëjë vizitën e parë zyrtare në Azi, në fillim të nëntorit. Ai do të shkojë në Japoni, Korenë e Jugut dhe Kinë dhe më pas do të marrë pjesë në takime të nivelit të lartë për tregëti dhe siguri në Vietnam dhe Filipine.
Zyrta presidenciale koreano-jugore tha në një deklaratë se pret që Presidenti Trump të “trajtojë jo vetëm temën e forcimit të aleancës mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe vizionin e politikës së tij për gadishullin dhe Azinë Verilindore”.
Facebook Forum