Lidhje

Ish-Presidenti Klinton elektrizon deputetët me fjalimin e tij


Bill Klinton emëroi zyrtarisht Barack Obamën si kandidat i Partisë Demokrate për zgjedhjet 2012

Punimet e Kuvendit Kombëtar Demokrat u shoqëruan me nota të forta dramatike mbrëmë, kur delegatët dëgjuan nga një ndër simbolet më të njohura të partisë. Ish-Presidenti Bill Klinton mbajti një fjalim të apasionuar për emërimin e Presidentit Obama për një mandat të dytë. Pastaj zoti Obama u ofroi delegatëve demokratë një surprizë:

Presidenti Barak Obama përqafohet me një udhëheqës që drejtoi vendin vite para tij, ish-presidentin Bill Klinton – në një moment uniteti për një parti që përballet me problemin e një elektorati të përçarë. Dy udhëheqësit kanë pasur momentet e tyre konfliktuale, kur bashkëshortja e Presidentit Klinton, Hillari, konkurroi kundër Presidentit Obama për të marrë emërimin e Partisë Demokrate në vitin 2008.

Por mbrëmë, Bill Klinton emëroi Barak Obamën për një mandat të dytë presidencial:

Presidenti Klinton është një ndër figurat më popullore të politikës amerikane, megjithë njollat mbi mandatin e tij nga një skandal seksual në Shtëpinë e Bardhë. Tani ai parashtron argumentat për pasardhësin e tij demokrat:

“Ne besojmë se ideja për ta përballuar së bashku këtë betejë është shumë më e vlefshme se ideja e përçarjes”.

Zoti Klinton argumentoi se demokratët krijojnë më shumë vende cilësore pune se republikanët:

“A jemi më mirë se ishim katër vjet më parë?”

Një ditë më parë në këtë sallë u dëgjuan kundërshtime, kur delegatët votuan për të rikthyer fjalën ‘Zot’ në diskutimin e politikave demokrate, apo kur u ritheksua që Jeruzalemi të jetë kryeqytet i Izraelit. Partia Demokrate është tani në mospërputhje me politika zyrtare të administratës Obama.

Jashtë sallës së kuvendit, protestues kundër abortit sfiduan qëndrimin e demokratëve në mbështetje të së drejtës së gruas për abort. Partia Republikane i përmbahet politikës për ndalimin e aborteve.

Por vëmendja kryesore ishte dje tek një udhëheqës që pëlqehet nga dy të tretat e amerikanëve, sipas një ankete të fundit. Këto përqindje janë shumë më të larta se përkrahja për Presidentin Obama. Ekspertët thonë se kjo është një ndër arsyet përse Presidenti Klinton u ftua të flasë. Norm Ornstein punon për Institutin American Enterprise:

“Për Obamën kjo është një lëvizje prej mjeshtri, pasi askush nuk është aq popullor sa Bill Klintoni dhe askush nuk mund ta përcjellë mesazhin si ai”.

Nga ish-presidenti tek presidenti aktual. Sot Presidenti Obama do të mbajë fjalimin e tij para delegatëve, i cili shënon edhe mbylljen e kuvendit dhe më pas vëmendja e vendit do të kthehet tek mesazhi i dy kandidatëve në muajt e fundit të fushatës.

XS
SM
MD
LG