Lidhje

Clinton, Trump reagojnë për ngjarjen në Orlando


Në reagimet e tyre të para për vrasjen masive më të rëndë në historinë amerikane, kandidatja demokrate Hillary Clinton tha se vendi duhet të mbrohet nga të ashtuquajturit “kriminelë të vetmuar”, ndërsa kandidati republikan Donald Trump tha se situata mund të përkeqësohet për shkak të dobësisë së udhëheqjes së vendit.

Duke folur për rrjetin CNN, zonja Klinton tha se amerikanët janë të aftë të bashkohen për të luftuar terrorizmin dhe krimet e tjera të dhunshme. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me komunitetin mysliman për të mposhtur këtë kërcënim. Po ashtu ajo theksoi nevojën e ndryshimit të ligjeve për pronësinë e armëve.

Rivali i saj republikan, Donald Trump, po gjatë një interviste për CNN-in, tha se terrorizmi i brendshëm mund të shtohet për shkak të dobësisë së udhëheqjes së vendit dhe ai bëri përsëri thirrje për të mos lejuar refugjatët sirianë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se “ata po vijnë me mijëra”.

Zoti Trump tha se myslimanët duhet t’i raportojnë tek autoritetet personat e dyshimtë, dhe ai ritheksoi mbështetjen e tij për ligjet e armëve. “Pronarët e armëve më shumë se kurrë më parë, kanë nevojë të vetë-mbrohen”, tha ai, duke shtuar se “në se ata që ishin në klubin e natës do të kishin armë, tragjedia nuk do të ndodhte ashtu siç ndodhi”.

XS
SM
MD
LG