Lidhje

Clinton: përkrahësit e Trumpit, për të ardhur keq


Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton thotë se gjysma e përkrahësve të rivalit të saj republikan Donald Trump i përkasin “grupit të njerëzve për të ardhur keq”.

Duke folur në një aktivitet të komunitetit LGBT në Nju Jork, për mbedhjen e fondeve për fushatën e saj, zonja Clinton i përshkroi përkrahësit e zotit Trump si “racistë, homofobë, ksenofobë, apo islamofobë”.

Ajo tha se “fatkeqësisht njerëz të tillë ekzistojnë dhe se Trump i ka tërhequr ata, ngado që janë.” Ish Sekretarja e Shtetit tha se “disa prej këtyre njerëzve janë të pandreqshëm dhe se ata nuk përfaqëojnë Amerikën.”

Kandidatja e Partisë Demokrate tha se gjysma tjetër e përkrahësve të miliarderit ishin njerëz të dëshpëruar për të patur ndryshim dhe se ata ndjehen të braktisuar nga qeveria.

"Ata nuk i besojnë të gjitha që thotë Trump, por duket se ai u ka dhënë shpresë se jeta e tyre mund të ndryshojë. Edhe këta janë njerëz të cilët ne duhet t’i kuptojmë”, tha zonja Clinton.

Jason Miller, këshilltari i Donald Trumpit për komunikimin, tha se komentet e zonjës Clinton "zbuluan se sa pak mendon ajo për burrat dhe gratë amerikane që punojnë shumë.”

Gjatë fjalimit të tij në një takim të sotshëm në Uashington, kandidati republikan për zëvendëspresident, Mike Pence, reagoi ashpër ndaj komenteve të Hillary Clinton, duke thënë se mbështetësit e zotit Trump "janë amerikanë që meritojnë respekt". Ai shtoi për zonjën Clinton se "...dikush që ka një opinion kaq të ulët për popullin amerikan nuk meriton të zgjidhet Presidente e Shteteve të Bashkuara".

XS
SM
MD
LG