Lidhje

Sekretarja Klinton paralajmëron kundër përpjekjeve për të penguar internetin


Sekretarja Klinton paralajmëron kundër përpjekjeve për të penguar internetin
Sekretarja Klinton paralajmëron kundër përpjekjeve për të penguar internetin

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton po paralajmëron vendet që pengojnë qasjen në internet se nuk mund të shtypin përgjithmonë pakënaqësinë popullore dhe se do të rrezikojnë humbjen e përfitimeve nga ekonomia e ndërlidhur botërore. Në një fjalim të rëndësishem për politikën ndaj internet në Uashington, ajo tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht “lirinë e qasjes” në rrjet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dejvid Gollast, njofton nga Departamenti i Shtetit.

Zonja Klinton pranoi se megjithë përparësitë, interneti mund të shërbejë si mjet për nxitje të urrejtjes ose sikur në rastin e Wikileaks­-it, si shtegdalje për botimin e dokumenteve të klasifikuara që iu vodhën qeverisë amerikane.

Por sekretarja e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara mbështesin “komunikimin e hapur” dhe shtoi se ndërsa liria e internetit – si të gjitha liritë e tjera – ngrit tensione, përfitimet janë më të vlefshme.

Fjalimi i zonjës Klinton, në Universitetin “Xhorxh Uashington”, disa rrugë larg ndërtesës së Departamentit të Shtetit, u mbajt në një kohë protestash masive në Lindjen e Mesme, të nxitura pjesërisht nga veprimtarët që po përdorin faqet e mediave shoqërore si Twitter dhe Facebook.

Vendet e prekura kanë provuar mënyra të ndryshme për të mundur kundërshtarët, duke ndaluar qasjen në disa faqe elektronike ose duke ndërprerë shërbimin e internetit në tërësi. Mirëpo, zonja Klinton thotë se vendet që i shtypin autorët e blogjeve dhe faqeve të opozitës e të lajmeve rrezikojnë vetveten.

“Qeveritë që kanë ngritur pengesa ndaj lirisë së internetit – qofshin filtra teknikë, censurë apo sulme ndaj atyre që ushtrojnë të drejtën e shprehjes dhe të tubimit në rrjet – do të lënë veten në errësirë. Ato do të përballen me mëdyshjen e një diktatori dhe do t’u duhet të zgjedhin ose t’i lënë muret të rrënohen ose të paguajnë çmimin për t’i mbajtur ato. Zgjidhja e fundit shkakton humbje si pasojë të angazhimit për të shtypur lirinë, si dhe koston në rritje si pasojë të humbjes së mundësive që do të sillnin idetë dhe njerëzit që pengohen me ndalimin e internetit.”

Zonja Klinton tha se liria e mendimit dhe mundësitë e barabarta që i sjell sundimi i ligjit nxisin risi përparimtare, dhe kur vendet mohojnë lirinë e internetit, ato kufizojnë të ardhmen e tyre politike.

Sekretarja tha se administrata e Presidentit Obama do të shpenzojë 25 milion dollarë këtë vit për të mbështetur ekspertët teknikë dhe veprimtarët që po kërkojnë mënyra për të anashkaluar pengesat qeveritare ndaj internetit.

Kritikët thonë se administrata ka gabuar duke mos investuar në teknologji të dëshmuara për “anashkalim”, të cilat do t’u mundësonin përdoruesve të internetit të shmangin kontrollet qeveritare duke zhvendosur trafikun e të dhënave në servera jashtë vendit. Por zonja Klinton tha se nuk ka ndonjë zgjidhje të shpejtë për çështjen e kufizimeve të internetit.

“Ne mbështesim vegla të ndryshme që në rast se qeveritë shtypëse mësojnë si ta pengojnë njërën, të kemi të tjera në dispozicion. Dhe do të investojmë në teknologjitë më të fundit sepse e dimë që qeveritë shtypëse vazhdimisht po i rinojnë metodat e tyre të shtypjes dhe ne synojmë të jemi më të përparuar.”

Sekretarja tha gjithashtu se Departamenti i Shtetit është i përkushtuar të zgjerojë bisedat e drejtpërdrejta përmes internetit me popujt në mbarë botën. Ajo tha se postimet e departamentit në Twitter, të cilat filluan javën e kaluar në gjuhën arabe dhe perse, do të përfshijnë shpejt edhe kinezishten, rusishten dhe hindishten.

XS
SM
MD
LG