Lidhje

Çmimet e naftës arrijnë rekorde të reja nga shqetësimet për Libinë


Çmimet e naftës arrijnë rekorde të reja nga shqetësimet për Libinë
Çmimet e naftës arrijnë rekorde të reja nga shqetësimet për Libinë

Çmimet e naftës po arrijnë rekorde të reja për shkak të shqetësimeve se revolta në Libi mund të përhapet më tej. Kompanitë ndërkombëtare të naftës, si BP dhe Shell, e kanë shkurtuar prodhimin ose kanë evakuuar personelin ndërkohë që protestat në Libi kanë krijuar kaos. Por sipas analistëve, pavarësisht nëse regjimi i tanishëm libian mbijeton ose jo, gjendja në Libi mund të ketë një ndikim të thellë mbi mbi ekonominë globale.

Videot në YouTube tregojnë se revolta popullore dhe e përgjakshme në Libi kundër Moamar Gadafi nuk po njeh ndalje.

Protestuesit kanë deklaruar se nuk do t’i tremben kërcënimeve të Gadafit për ta shtypur revoltën.

Asnjëra palë nuk është gati të tërhiqet. Në këto kushte, agjentët ndërkombëtarë të bursës janë shqetësuar, duke i ngritur çmimet e naftës në nivelin më të lartë në dy vjet. Analisti i energjisë, Fadil Gheit, thotë se rritjen dramatike të çmimeve po e nxit frika e së panjohurës.

"Nuk e dimë se ç’drejtim do të marrë tregu. Nëse gjendja në Libi nuk qetësohet, tregu do të vazhdojë të jetë i paqendrueshëm dhe çmimet e naftës do të mbeten të larta."

Megjithëse aktualisht nuk ka mungesë furnizimi për të justifikuar çmimet e larta, kërcënimi vjen nga paqendrueshmëria në tregjet që varen nga nafta libiane.

Ian Lesser ka qenë këshilltar për Afrikën e Veriut në administratën Klinton:

"Ne nuk importojmë aq shumë naftë nga Libia por ne mund të prekemi nga ndikimi që mund të ketë ndërprerja e furnizimeve me naftë mbi qëndrueshmërinë e tregjeve globale të energjisë. Gjithashtu, disa nga aleatët tanë evropianë importojnë shumë naftë nga Libia."

Tregtuesi i energjisë, Will Hedden thotë se kjo paqëndrueshmëri bashkë me çmimet e naftës është e rrezikshme për ekonominë e brishtë globale.

"Sigurisht, nëse çmimi vazhdon të rritet, kjo nuk do të ketë efekt të mirë, madje mund ta devijojë rigjallërimin ekonomik global."

Ndërkohë që dhuna shkallëzohet, të paktën katër firma ndërkombëtare nafte në Libi kanë njoftuar për shkurtim të prodhimit.

Por zoti Hedden thotë se ende nuk ka arsye për panik.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se karteli prej 12 anëtarësh i vendeve eksportuese të naftës, OPEK, ku hyn edhe Libia, është gati të rrisë prodhimin, nëse është e nevojshme.

"Ne dimë se Arabia Saudite ka një rezervë të madhe dhe agjencia do t’u kërkojë vendeve anëtare të ndihmojnë për rritjen e furnizimit me naftë."

Libia jep më pak se dy përqind të furnizimit botëror të naftës, ose 1.6 milion fuçi në ditë. Por frika se mos protestat mund të përhapen në vende të tjera prodhuese të naftës i ka çuar çmimet në nivele rekord. Disa grupe investimesh paralajmërojnë se çmimet mund të arrijnë nivele historike në rreth 147 dollarë për fuçi nëse trazirat vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG