Lidhje

Dëshmia e James Comey-t në Senat, ja çfarë pritet


Ish drejtori i FBI-së James Comey, i cili u shkarkua gati një muaj më parë nga Presidenti Donald Trump, do të dëshmojë të enjten përpara Komisionit të Zbulimit të Senatit. Ky komision po heton mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar si dhe çdo lidhje të dyshuar mes Moskës dhe rrethit të ngushtë të zotit Trump.

Kjo është dalja e parë publike për zotin Comey që kur presidenti Trump e shkarkoi pa pritur më 9 maj.

Në atë kohë zoti Comey po drejtonte hetimin e FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në fushatën presidenciale të vitit të kaluar dhe bashkëpunimin e mundshëm mes ndihmësve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë. Ndërhyrje që synonin të ndihmonin zotin Trump të fitonte ndaj sfidantes demokrate, ish Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Pas shkarkimit presidenti e cilësoi zotin Comey “si njeri që kërkon të duket” dhe “pompoz”

Pak ditë pas shkarkimit, bashkëpunëtorët e zotit Comey thanë se ish shefi i FBI-së kishte mbajtur shënime të detajuara për takimet e tij me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë.

DEKLARATA E HAPJES E ZOTIT COMEY

James Comey pritet të deklarojë përpara komisionit se Presidenti Donald Trump i kërkoi besnikëri gjatë një darke në muajin janar.

Në komentet e hapjes që do të bëjë nesër përpara komisionit, zoti Comey pritet të citojë atë që ai thotë se i kërkoi Presidenti Trump gjatë darkës: "Unë kam nevojë për besnikëri. Unë pres besnikëri''.

Deklarata që zoti Comey pritet të bëjë nesër u publikua të mërkurën pasdite.

Në deklaratë, zoti Comey thotë se ai dhe zoti Trump ishin duke ngrënë së bashku privatisht dhe se presidenti e pyeti nëse dëshironte të qëndronte si drejtor i FBI-së. Zoti Comey thotë se u përgjigj se dëshironte të shërbente deri në fund të mandatit dhjetëvjeçar dhe se "politikisht nuk ishte në anën e askujt."

Pas kësaj, - thotë zoti Comey, - Presidenti Trump bëri komentet e tij për besnikërinë.

Presidenti e shkarkoi ish-kreun e FBI-së papritur muajin e kaluar.

Seanca dëgjimore është caktuar për në orën 10:00 me orën lokale të Uashingtonit.

I pyetur mbi dëshminë e zotit Comey presidenti Trump tha: "I uroj fat."

Presidenti ka një axhendë të ngjeshur ditën e enjte”, njoftoi sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë Sean Spicer. Ai shtoi se zoti Trump ka takime dhe një fjalim gjatë kohës që zoti Comey do të dëshmojë përpara senatit.

PYETJE E MUNDSHME PËR ZOTIN COMEY:

  1. A i ka kërkuar presidenti Trump zotit Comey të jetë besnik ndaj tij?

Sipas deklaratës që do të bëjë zoti Comey, gjatë një darke në Shtëpinë e Bardhë zoti Trump i kërkoi atij të zotohet për besnikëri ndaj tij.

Gjatë një intervistë për rrjetin NBC News, presidenti Trump e përshkroi ndryshe diskutimin gjatë darkës. Ai tha se ishte zoti Comey ai që i kërkoi të takohen, sepse siç tha, drejtori i FBI-së donte të mbante vendin e punës. Presidenti nuk përmendi ndonjë kërkesë për “zotim për besnikëri”.

  1. A i kërkoi zoti Trump zotit Comey të heqë dorë nga hetimet ndaj ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn?

Sipas shtypit, zoti Comey kishte njoftuar anëtarët e rrethit të tij të ngushtë se presidenti Trump i kishte thënë se shpresonte që zoti Comey të hiqte dorë nga hetimi i zotit Flynn dhe kontakteve të tij me agjentët rusë.

"Shpresoj se mund të shihni qartë mundësitë për ta lënë këtë gjë dhe Flynnin" shkruante “Times” që citonte atë që zoti Trump i kishte thënë drejtorit të FBI-së, në takimin privat me të në Zyrën Ovale. "Ai është një njeri i mirë. Shpresoj të mos merreni më me të".

  1. A mendon zoti Comey se veprimet e zotit Trump ishin një përpjekje për të penguar hetimet ndaj Rusisë?

Nuk ka gjasa që zoti Comey t’i japë një përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Ai pritet t’i përmbahet përshkrimit të ngjarjeve dhe të lerë të tjerët të analizojnë implikimet ligjore të tyre.

  1. A i ka thënë zoti Comey zotit Trump, disa here, se presidenti nuk ishte nën hetim?

Në një letër, ku informonte zotin Comey për arsyet e shkarkimit të tij nga FBI-ja, presidenti Trump shkruante: "E vlerësoj shumë që më keni informuar në tre raste të veçanta, se unë nuk jam nën hetim, lidhur me Rusinë.

  1. A mundet që zoti Comey të sjellë ndonjë provë të bashkëpunimit të fshehtë mes rrethit të ngushtë të zotit Trump dhe zyrtarëve rusë?

Nëse dikush nga rrethi i ngushtë i presidentit Trump ka bashkëpunuar apo jo në mënyrë të fshehtë me Rusinë në komplotin për të dëmtuar fushatën presidenciale të Hillary Clintonit kjo përbën fokusin e hetimit federal dhe të Kongresit. Zoti Comey nuk ka gjasa të japë ndonjë përgjigje përfundimtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG