Lidhje

Trump: dëshmia e Comey-it, hakmarrje e vërtetë


Presidenti Donald Trump theu heshtjen në Twitter, pas dëshmisë së djeshme të drejtorit të shkarkuar të FBI-së James Comey, duke deklaruar se ajo ishte “një hakmarrje e vërtetë”.

Trump, i cili nuk kishte postuar në Twitter, që kur zoti Comey e akuzoi administratën për përhapjen e “gënjeshtrave”, u kundërpërgjigj me një koment herët në mëngjes, ku thoshte “Çudi, Comey paska nxjerrë sekrete''. Sot zoti Trump takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis dhe më pas të dy pritet të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në paraqitjen e tij të parë para Kongresit që pas shkarkimit të papritur muajin e kaluar, zoti Comey foli për mungesën e besimit të Presidentit ndaj tij, duke thënë hapur se Presidenti e kishte shkarkuar me synimin për të ndërhyrë në hetimin mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.

Ndërsa Presidenti e karakterizoi dëshminë e zotit Comey si një hakmarrje për shkarkimin e tij, përshtypja e përgjithshme për përgjigjet e tij ndaj pyetjeve të senatorëve nuk ishte se ishin të pavërteta.

Senatorja Susan Collins, një Republikane e moderuar, tha se Kongresi duhet të njihet me regjistrimet e bisedave me ish drejtorin e FBI-së që mund të ketë Presidenti. Ajo tha se zoti Comey është “një njeri i nderuar” dhe në një intervistë ajo u shpreh se ai “Ishte i besueshëm, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë” në dëshminë e tij.

Avokati privat i zotit Trump, Marc Kasowitz, tha se bërja publike nga zoti Comey e bisedave me Presidentin tregon që ish drejtoi i FBI-së ka nxjerrë sekrete, me synimin për të minuar administratën Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG