Lidhje

Comey: Administrata Trump përhapi "gënjeshtra" dhe më "diskreditoi"


Ish drejtori i FBI-së Comey kritikoi ashpër administratën për justifikimin e përdorur në shkarkimin e tij në muajin maj.

Zoti Comey tha se Presidenti Donald Trump priste besnikëri prej tij dhe i kishte kërkuar që të hiqte dorë nga hetimi për ish Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Michael Flynn.

Dëshmia për rreth tre orë e zotit Comey para Komisionit të Zbulimit të Senatit ishte paraqitja dhe komentet e para të tij në publik lidhur me nëntë bisedat që ai tha se kishte patur me Presidentin Trump në muajt para shkarkimit të tij.

Presidenti e shkarkoi zotin Comey muajin e kaluar, lidhur me atë që ai ju referua si “çështja e Rusisë”. Ish shefi i FBI-së po udhëhiqte në atë kohë hetimin e agjencisë së drejtuar prej tij, mbi mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Comey i tha ligjvënësve se ai ishte ndjerë konfuz nga shpjegimet e ndryshme që ndihmësit e zotit Trump i patën dhënë për shkarkimin e tij, duke shtuar se administrata zgjodhi rrugën e diskreditimit të tij dhe të FBI-së, duke përdorur gënjeshtra të pastra, siç u shpreh ai. Ai tha se i vinte keq që njerëzve që punojnë për FBI-në iu desh të dëgjonin këto gënjeshtra.

Në seancën e pazakontë në Kongresin amerikan, kreu republikan i Komisionit të Senatit për Zbulimin Richard Burr bëri thirrje për një diskutim të hapur dhe të sinqertë lidhur me marrëdhëniet e tensionuara mes Presidentit Trump dhe zotit Comey.

Demokrati më i lartë në komision, Senatori Mark Warner, duke iu refereuar komenteve të Presidentit Trump tha se në gjithë këtë histori nuk bëhet fjalë për një gjueti shtrigash dhe as për lajme të rreme. Kjo, tha ai, është një përpjekje për të mbrojtur vendin nga një kërcënim i ri, i cili nuk pritet të eliminohet brenda një kohe të shkurtër. Senatori e kishte fjalën për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Gjatë seancës, senatorët i drejtuan zotit Comey pyetje të shumta rreth bisedave të tij me Presidentin Trump.

Zoti Comey, i cili ka përvojë të gjatë me dëshmitë përpara komisioneve të Kongresit dhe është i kujdesshëm në zgjedhjen e termave që përdor, në disa raste refuzoi të përgjigjej publikisht dhe ofroi ta informonte komisionin pas dyrve të mbyllura.

Vemendje të veçantë ka shkaktuar deklarata e zotit Comey se Presidenti Trump i kërkoi atij besnikëri dhe demokratët e kanë parë këtë si shenjë se zoti Trump ka dashur të ndikojë mbi hetimet e zotit Comey për çështjen e Rusisë.

Por kreu i komisionit Burr tha se nuk është gabim të kërkosh besnikëri nga një zyrtar i administratës. “Unë nuk shoh ndonjë shkelje këtu”, - tha senatori.

Ndërkaq, Senatori demokrat Warner tha në seancë se sjellja e Presidentit Trump është padyshim dëshmi ndërhyrjeje ose pengimi, gjë që ai e cilësoi si shumë shqetësuese.

Ndërkohë që zoti Comey po i jepte fund dëshmisë në Kongres, Presidenti Donald Trump reagoi, duke paralajmëruar mbështetësit e tij evangjelistë se ata duhet të mbrojnë besimet e tyre fetare nga struktura politike në Uashington.

"Ne jemi nën rrethim," tha zoti Trump në një fjalim të mbajtur në Uashington para Koalicionit Konservator të Besimit dhe Lirisë. "Interesat politike të rrënjosura dhe zërat e dështuar e të hidhur në Uashington do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të na ndalur nga kjo kauzë e drejtë," - tha ai.

Hetimi ndaj Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn

Gjatë dëshmisë së tij zoti Comey tha se Presidenti Trump i kishte këtkuar më 14 shkurt “të hiqte dorë” nga hetimi ndaj Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, të cilin Presidenti e pati shkarkuar nga detyra një ditë më parë, ngaqë kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence lidhur me bisedat e tij me ambasadorin rus në Uashington. “Shpresoj se do të gjesh një rrugë për të hequr dorë nga hetimi ndaj zotit Flynn”, citoi zoti Comey Presidentin. “Ai është burrë i mirë, shpresoj se nuk do të merresh me këtë çështje”.

Comey pranoi në pyetjet e drejtuara nga ligjvënësit se Presidenti Trump nuk e kishte urdhëruar që ta ndalonte hetimin lidhur me lidhjet e zotit Flynn me Rusinë, por ai shtoi “Unë i mora fjalët e tij si udhëzim. Këtë do të donte ai që të bëja”. Megjithatë, zoti Comey tha se ai nuk e mbylli hetimin.

Ai tha se ishte befasuar nga kërkesa e zotit Trump për të hequr dorë nga hetimi ndaj zotit Flynn dhe se nuk i kishte shkuar në mend në atë kohë që t’i thonte “Zoti President, kjo që thoni ju është gabim”.

Ai tha se kolegët e tij në FBI “ishin tronditur dhe shqetësuar, po aq sa unë” nga komentet e zotit Trump për të hequr dorë nga hetimi.

Comey tha se në një telefonatë që pati me të më 30 mars, Presidenti i kishte thënë se “Hetimi për Rusinë ishte si një re, që po e pengonte atë në punën e tij, për të vepruar në emër të vendit…Ai pyeti se ç’mund të bënim për ta hequr këtë re. Unë ju përgjigja se ne ishim duke zhvilluar hetim për këtë çështje sa më shpejt që të kishim mundësi dhe se do të ishte shumë mirë në se nuk do të gjenim gjë. Ai ishte dakord me komentin tim, por pastaj ritheksoi se kjo çështje po i shkaktonte atij probleme.”

“Shpresoj që të ketë kaseta", tha zoti Comey duke iu referuar sugjerimit të zotit Trump se ai mund t'i kishte inçizuar bisedat e tyre.

Zoti Trump kishte në plan ta ndiqte seancën në Shtepinë e Bardhë me ekipin e tij ligjor dhe këshilltarët e afërt.

Senatori republikan James Risch pyeti nëse zoti Comey ishte në dijeni të ndonjë personi që ishte akuzuar për pengim të drejtësisë, vetëm sepse kishte shprehur shpresën për një përfundim të caktuar. Zoti Comey thotë se nuk dinte ndonjë rast të tillë. .

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey dëshmon në Senat
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:54 0:00

Zoti Comey tha se në një darkë në janar me Presidentin se ai "donte të siguronte diçka" në këmbim të mbajtjes së tij në detyrën e Drejtorit të FBI-së.

Zoti Comey tha për Presidentin Trump se "i besonte fjalës së tij" se ishte shkarkuar për shkak të hetimit të FBI-së për Rusinë.

Comey tha se komuniteti i zbulimit "ka bindje të fortë" se Rusia ndërhyri në fushatën e zgjedhjeve për të ndihmuar zotin Trump të fitonte ndaj rivales demokrate Hillary Clinton.

Në deklaratën e shkruar që i dorëzoi Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit, zoti Comey tha se Presidenti Donald Trump i ka kërkuar atij besnikëri gjatë bisedave që të dy ata kanë patur në Shtëpinë e Bardhë lidhur me hetimet e kësaj agjencie për disa zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të administratës. Dje pasdite, Komisioni publikoi paraprakisht një kopje të deklaratës prej shtatë faqesh që zoti Comey do të paraqesë në hapje të një seance të shumëpritur të Komisionit. ((https://www.intelligence.senate.gov/sites/default/files/documents/os-jcomey-060817.pdf)).

Deklarata u bë publike dje pasdite, pak orë pas një seance të mëparshme të Komisionit të Zbulimit, në të cilën Drejtori i Zbulimit Kombëtar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Inteligjencës refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të senatorëve rreth zotit Comey dhe hetimeve për Rusinë.

Në deklaratën e tij, zoti Comey jep hollësi befasuese për pesë biseda që ai ka patur me Presidentin Trump. Mes të tjerash ai lë të kuptohet se Presidenti i ka kërkuar të ndryshojë rrjedhën e hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Trump: "Pres besnikëri nga ju"

Siç tregon zoti Comey, në një bisedë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i tha: "Unë kam nevojë për besnikëri, pres besnikëri nga ju”. "Nuk lëviza, nuk fola dhe as ndryshova shprehjen e fytyrës gjatë heshtjes së vështirë që pasoi,” shkruan ish-shefi i FBI-së. “Ne thjesht nisëm të shihnim njëri-tjetrin në heshtje".

Në deklaratën e tij me shkrim, zoti Comey tregon se i kishte thënë tri herë Presidentit se ai nuk ishte objekt i hetimit të FBI-së, që synonte të sqaronte nëse bashkëpunëtorët e zotit Trump kishin patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarët e qeverisë ruse.

Në një pasazh tjetër, zoti Comey dëshmon se Presidenti Trump i kishte kërkuar më 14 shkurt të hiqte dorë nga hetimi për gjeneralin Michael Flynn, i cili ishte shkarkuar si këshilltar i sigurisë kombëtare një ditë më parë. "Shpresoj se ju mund të gjeni mënyrën për të hequr dorë nga kjo, për ta lënë çështjen Flynn," i kishte thënë Presidenti, gjithnjë sipas deklaratës së zotit Comey. "Ai është njeri i mirë. Shpresoj se mund ta kaloni çështjen e tij."

Muajin e kaluar, Presidenti Trump mohoi kategorikisht se i kishte bërë presion ish-shefit të FBI-së që të mbyllte çështjen Flynn ose të hiqte dorë nga hetimi i saj. Presidenti hodhi poshtë gjithashtu pohimet se bashkëpunëtorët e tij janë marrë vesh me Rusinë që ajo të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke e quajtur këtë një "gjueti shtrigash".

Komentojnë përkrahësit e zotit Trump

Pas publikimit të deklaratës së zotit Comey, mbështetësit e Presidentit Trump thanë se aty nuk kishte asgjë që lë të kuptohet se Presidenti ka bërë ndonjë shkelje.

Avokati Marc Kasowitz, këshilltar privat i zotit Trump për hetimin e çështjes së Rusisë tha se presidenti "ndihet plotësisht i shfajësuar".

"Presidenti, - tha zoti Kasowitz, - është i kënaqur që zoti Comey më në fund ka konfirmuar publikisht se presidenti nuk është nën hetime, në asnjërin prej hetimeve rreth Rusisë." "Ai mezi pret të vazhdojë punën për të vënë në jetë axhendën e tij si president".

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan Ronna McDaniel theksonte të njëjtën gjë në një deklaratë në faqen e internetit të këtij Komiteti: "Presidenti Trump kishte të drejtë. Deklarata e drejtorit Comey rikonfirmoi atë që presidenti ka thënë gjatë gjithë kohës, se ai kurrë nuk ka qenë nën hetime".

Demokratët e shohin ndryshe çështjen

Demokratët në Kongres e shohin ndryshe rëndësinë e dëshmisë së zotit Comey.

Kongresmeni Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin për Inteligjencën në Dhomën e Përfaqësuesve, i quajti "shqetësuese" akuzat e zotit Comey. Në një deklaratë, zoti Schiff tha se bisedat e presidentit me zotin Comey "përfaqësojnë një tjetër përpjekje të papërshtatshme për të detyruar agjencitë e inteligjencës të shërbejnë si mjete të Shtëpisë së Bardhë për marrëdhëniet me publikun dhe për të minuar pavarësinë apo integritetin e komunitetit të inteligjencës".

Disa kritikë të tjerë të zotit Trump thanë se pohimet e zotit Comey tregojnë se presidenti është përpjekur të ndërhyjë në mënyrë të papërshtatshme dhe se kjo mund të përbëjë pengim të drejtësisë.

Një ish-zyrtar i vjetër i FBI-së, i cili nuk deshi të identifikohej, i tha Zërit të Amerikës se “Zoti Comey ka vepruar korrekt për gjithçka." Kjo ngjarje thjesht flet për një president që nuk e kupton se si funksionon qeveria dhe se e trajton qeverinë sikur të ishte një biznes.”

Dëshmia e zotit Comey vazhdon me dyer të mbyllura

Comey e vazhdoi dëshminë e tij para Komisionit të Zbulimit të Senatit me dyer të mbyllura, ku ai tha se do të diskutonte për disa çështje që nuk duhen thënë në publik. Senatorët u takuan në një pjesë të ndërtesës së Kapitolit, që njihet si mjedis i sigurtë për informacionet.

Megjithë preferencën e tij të njohur për të shkruar mesazhe në Twitter, Presidenti Trump nuk komentoi gjatë seancës së dëshmisë së zotit Comey.

Por në vend të të atit, djali i Presidentit i kritikoi komentet e zotit Comey. Në Shtëpinë e Bardhë, zëvendës sekretarja e shtypit Sarah Huckabee Sanders, tha: "Mund të them patjetër se Presidenti nuk është gënjeshtar".

Avokati personal i Presidentit, Marc Kasowitz, i tha gazetarëve se zoti Trump nuk ka diskutuar kurrë për "besnikëri" me zotin Comey dhe "asnjëherë nuk ka udhëzuar, apo sugjeruar që ish drejtori i FBI-së të ndalonte hetimet për dikë."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG