Lidhje

Kompanitë e komunikimit: ligje më të forta për mbrojtjen e privacisë


Në Shtetet e Bashkuara, kompanitë gjigande të komunikimit dhe të medias sociale, janë duke u bërë thirrje ligjvënsve, që të hartojnë ligje të forta për të mbrojtur të dhënat personale të amerikanëve, pa penguar novacionet e fushës së teknologjisë.

Komisioni i Tregtisë i Senatit, dëgjoi të mërkurën dëshmitë e drejtuesve të firmave Apple, Amazon.com, Google, Twitter, dhe AT&T, në një kohë kur vazhdimisht ka probleme me të dhënat personale të njerëzve; një numër i madh amerikanësh nuk kanë dijeni se si dhe kush mund të përdorë të dhënat e tyre personale; ndërkohë autoritete shtetërore nga Bashkimi Europian e deri në Kaliforni kanë vendosur rregullore për mbrojtjen e të dhënave të konsumatorëve.

“Privaci do të thotë më tepër se sa të kesh të drejtën të mos ndash me të tjerët informacionet e të dhënave personale. Ajo kërkon që përdoruesi të ketë në dorë kontrollin, kur është fjala për këto informacione", - tha Nënpresidenti për Teknologjinë e Programeve Kompjuterike, Bud Tribble. “Ne besojmë se privacia është një e drejtë themelore e njerëzve, e cila duhet mbështetur me norma sociale dhe ligjore,"- tha ai.

“Në botën e sotme, kur të dhënat janë të një rëndësie të veçantë, është më e rëndësishme se kurrë që të ruhet besimi i konsumatorëve dhe për t'u dhënë atyre kontroll mbi informacionet personale", tha Nënpresidenti për Politikat Globale i Kompanisë AT&T, Leonard Cali.

Drejtuesit e kompanive teknologjike u kërkuan ligjvënësve të zbatojnë standarte në nivel kombëtar, të cilat do t'i ndalonin shtetet individuale të merrnin masa nga ana e tyre, sikurse ka bërë Kalifornia.

“Kalifornia është një shtet i vetëm dhe nëse edhe shtete të tjera do të vepronin si ajo, do të kishim rregulla të fragmentuara, me të cilat konsumatorët nuk do të përshtateshin dot, sikurse edhe kompanitë e celularëve dhe të internetit", - tha Leonard Cali.

Në të njëjtën kohë, senatorëve iu kërkua që ligjet të hartohen me kujdes. Një pjesë e personave që dëshmuan, thanë se Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave të Përgjithshme të Bashkimit Europian, i future në zbatim në fillim të vitit, ishte tepër shqetësues për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë.

Andrew DeVore, Nënpresident i Kompanisë Amazon.com, tha: “Ne e inkurajojmë Kongresin, që të sigurohet që rregulloret administrative nga sipër, që mund t'i kërkojnë ligjet, të rezultojnë në përfitime proporcionale, për privacinë e konsumatorëve."

Kongresi tashmë ka në shqyrtim ligje që lidhen me teknologjinë. Në fillim të vitit, Senatorja demokrate e Minnesotës, Amy Klobuchar dhe ai republikan i Luizianës John Kennedy, paraqitën një projektligj, i cili u kërkon kompanive të shkruajnë marrëveshje për termat e shërbimit me gjuhë të qartë dhe t'i lejojnë konsumatorët t'i rishikojnë të dhënat e mbledhura rreth tyre dhe të dinë si po përdoren dhe nëse këto të dhëna i transferohen një pale të tretë. Ka gjasa që të ketë propozime të tjera në të ardhmen.

"Çështja nuk është nëse na nevojitet një ligj fedreal për mbrojtjen e privacisë së konsumatorëve", tha kryetari i Komisionit, senatori republikan i Dakotës së Jugut, John Thune. "Çështja është se çfarë forme do të marrë ky ligj."

Disa senatorë pranuan se ata nuk ishin rritur në epokën dixhitale.

“Kjo çështje për mua nganjëherë ka ngjyra mistike", tha senatori demokrat i Montanës, Jon Tester.

Tester shtoi se ai ishte befasuar, kur pa se, pasi kërkoi për goma të reja makine në internet, në faqet kompjuterike të cilat ai i vizitoi më pas, u shfaqën reklama për goma.

“Ku e gjetën ata këtë informacion?" - pyeti ai.

Drejtoi për privacinë i kompanisë "Google", Keith Enright, u përgjigj se aplikacioni i kërkimit në internet u jep mundësi faqeve të internetit të sigurojnë të ardhura, "duke vendosur reklama që u përshtaten interesave të përdoruesve." Por, shtoi ai, "Google nuk u jep të dhëna personale një pale të tretë, ne as i shesim dhe as i ndajmë ato me të tjerë ".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG