Lidhje

SHBA: Shqetësim për mbylljen e qeverisë


Kongresi ka vetëm pak ditë në dispozicion për të arritur një marrëveshje për buxhetin e 2017. Në se ligjvënësit nuk bien dakort deri në mesnatën e 28 prillit, qeveria do të mbyllet. Debati lidhur me përparësitë legjislative vjen ndërsa presidenti Donald Trump shënon 100 ditët e para në detyrë.

Ligjvënësit kanë vetëm katër ditë për të vendosur për buxhetin prej miliarda dollarësh. Por presidenti është optimist.

“Mundësitë janë të mira për të arritur marrëveshje së shpejti”, tha ai.

Pasiguritë e minutës së fundit nuk janë diçka e re. Kongresi nuk mundi të arrinte një marrëveshje në vitin 2013 duke detyruar mbylljen e qeverisë për 16 ditë. Edhe parqet kombëtare u mbyllën.

Por këtë herë, afati i buxhetit është vetëm një ditë para një date të rëndësishme: dita e 100 e Presidentit Trump në detyrë.

Shtëpia e Bardhë po thekson arritjet që premtoi kandidati Trump.

“Ajo që vjen pas është plani im i veprimit në 100 ditët e para për ta bërë Amerikën përsëri të madhe”.

Presidenti Trump e sheh betejën e buxhetit si një mundësi për të përmbushur një nga premtimet më të mëdha të fushatës… financimin e murit prej 3 mijë e 200 kilometrash në kufi me Meksikën.

“Ne do ta ndërtojmë murin – në fakt do të fillojmë shumë shpejt – shumë më shpejt se plani.”

Por me një kosto prej miliarda dollarësh, muri në kufi do të ishte një pikë e vështirë për republikanët në negociata – dhe një mundësi kritikash nga demokratët e opozitës.

Askush nuk është i sigurtë në se financimi për murin do të jetë i panegociueshëm për presidentin Trump – apo thjesht një hap i parë drejt një kompromisi për më shumë financimeve për imigracionin.

Përpara negociatave, Shtëpia e Bardhë ishte e kujdesshme të hënën në deklaratat e saj…

Nuk do të fillojë të flas për pika specifike, për ato që presidenti mund të negociojë”, tha zëdhënësi Sean Spicer.

Por kujtimet e përpjekjeve të dështuara për kujdesin shëndetësor janë ende të freskëta për republikanët, duke krijuar më shumë presion brenda partisë.

“Ka shumë gjëra rreth Presidentit Trump dhe Shtëpisë së Bardhë që janë të pasigurta edhe për vetë anëtarët e Kongresit. Presidenti Trump nuk është politikan i zakonshëm, ai nuk ka përvojë për të arritur compromise me Kongresin dhe këtë po e shohin në betejën e buxhetit”, thotë Molly Reynolds e Institutit Brookings.

Ndërsa e pret reforma e taksave dhe rikthimi i ligjit të kujdesit shëndetësor në Kongres, beteja për buxhetin, është një betejë që presidenti Trump do të duhet ta fitojë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG