Lidhje

Kongresi republikan dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi


Partia Republikane do të ketë në janar nën kontroll të dyja Dhomat e Kongresit. Republikanët thelluan shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve dhe tani do të kontrollojnë edhe Senatin. Korrespondenti i Zërit të AmerikësAndre de Nesnera analizon se si do të ndikojë ky zhvillim politik në marrëdhëniet amerikano-ruse:

Kriza në Ukrainë ka dëmtuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës, të cilat sipas disa analistëve kanë arritur pikën më të ulët në dekada.

Tani që republikanët kontrollojnë të dyja Dhomat e Kongresit, si pritet të ndikohen marrëdhëniet Uashington-Moskë?

John Parker është ekspert për Rusinë në Universitetin Shtetëror të Mbrojtjes.

“Ndoshta nuk do të ketë ndikim të madh, pasi administrata ishte në një pozitë aq të dobët në planin e brendshëm, saqë e kanë pritur, në mos një humbje të thellë në zgjedhjet e mesmandatit, e dinin që nuk do të kishte përmirësim në mbështetjen e brendshme”.

Eksperti për Rusinë në Kolegjin Mount Holyoke, Stephen Jones është i të njëjtit mendim.

“Nuk do të ketë asnjë ndryshim dramatik si rezultat i këtyre zgjedhjeve, për sa u përket marrëdhënieve amerikano-ruse. Ndoshta do të dëgjojmë në Senat thirrje më të forta në momente krize me Rusinë, ndoshta presion për qëndrim më agresiv për sa i përket embargos që kanë vënë Shtetet e Bashkuara. Por nuk mendoj se do të ketë ndryshime dramatike”.

Profesori i Universitetit Columbia Robert Legvold thotë se administrata e presidentit Obama do të vazhdojë politikën e saj kundrejt Rusisë, pikësëpari me përpjekjet për ta izoluar Moskën në arenën ndërkombëtare:

“Së dyti me mbajtjen në fuqi të sanksioneve. Nëse gjërat vazhdojnë të keqësohen në Ukrainë, mund të shtohet presioni për sanksione të reja dhe bashkëpunimi me evropianët në këtë drejtim. Ndërkohë, mund të ketë vëmendje më të madhe për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse nga kërcënimi rus në Evropën Qendrore përmes NATO-s”.

Ish-Sekretari i Shtetit Henry Kissinger tha në një intervistë me Shërbimin Rus të Zërit të Amerikës se Rusia duhet të jetë pjesë integrale e çdo sistemi ndërkombëtar:

"Mendoj tani më shumë se më parë është e rëndësishme të gjendet një mënyrë për ta kthyer Rusinë dhe vende të tjera në një marrëdhënie bashkëpunimi”.

Ekspertët thonë se Presidenti Putin pret të shohë se ç’mund të sjellin zgjedhjet presidenciale të 2016.

Për momentin, thotë analisti Robert Legvold, si Uashingtoni ashtu edhe Moska, nuk po tregojnë gatishmëri për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre.

“Në marrëdhënien mes dy vendeve, duket se kemi ngecur në nocionin se pala tjetër është shkaktarja e problemit”.

Zoti Legvold dhe të tjerë thonë se i njëjti qëndrim duket se mbisundon edhe në Moskë.

XS
SM
MD
LG