Lidhje

Rezultati në Pensilvani, paralajmërim për republikanët


Në një garë me shumë domethënie në rang kombëtar, demokrati Conor Lamb deklaroi fitoren e ngushtë në zgjedhjet e posaçme për një vend në Kongres që u mbajtën të martën në Pensilvani. Zoti Lamb ka një avantazh prej disa qindra votash ndaj kandidatit republikan Rick Saccone, një mbështetës i fortë i Presidentit Donald Trump. Fitorja, që mesa duket kanë arritur demokratët në këtë distrikt, dikur republikan, mund të jetë shenjë e asaj që pritet të ndodhë në zgjedhjet për Kongresin këtë vit.

Demokratët festojnë fitoren ende të pacertifikuar të Conor Lamb-it në Pensilvani.

"U desh pak më shumë kohë se sa menduam, por ia dolëm", tha demokrati Lamb.

Duke bërë fushatë si demokrat i moderuar, Conor Lamb u shfaq çuditërisht i fortë në një distrikt që Presidenti Trump e kishte fituar me 20 përqind avantazh bë zgjedhjet e mëparshme.

"Ne luftuam për të gjetur interesat e përbashkëta dhe ia dolëm pothuajse kudo, demokratë, republikanë, të pavarur, secili prej nesh amerikanëve".

Por republikan Rick Saccone nuk është gati të pranojë rezultatin.

"Ne do të luftojmë deri në fund. Ti e di që unë nuk heq dorë kurrë"

Zoti Saccone e shpalli veten si “njeriu i presidentit” dhe zoti Trump bëri fushatë në emër të tij disa ditë më parë.

"E gjithë vëmendja është përqëndruar këtu. Ne duam të vazhdojmë, duam të bëjmë përpara me axhenden tonë për një Amerikë të mrekullueshme. Ndaj duhet ta votoni atë, kjo është një garë shumë e rëndësishme”, tha zoti Trump.

Rezultati i Pensilvanisë pason fitoret e demokratëve të vitin e kaluar në Virxhinia dhe Alabama, ndoshta duke vendosur bazat për një proces të vështirë zgjedhor për presidentin në muajin nëntor, sipas Larry Sabatos.

"Opozita ndaj Donald Trump-it është po aq e fortë sa e vitit të fundit të presidencës së Richard Nixon-it (1973-1974). Është kaq fortë dhe e nxehtë që mund të rezultojë në favor të demokratëve në një shkallë shumë më të madhe se sa mendojmë në zgjedhjet afatmesme".

Disa republikanë e shohin garën si një thirrje për zgjim me fokus tek zgjedhjet e nëntorit.

"Mendoj se mesazhi për republikanët duhet të jetë: garoni për atë që kemi bërë dhe atë që po bëjmë, sepse kemi rezultate të mira", thotë republikani Kevin Cramer.

Historikisht zgjedhjet e mesit të mandatit nuk prodhojnë rezultate të kënaqshme për presidentët në detyrë, sipas analistit Michael Barone.

"Partia e presidentit në përgjithësi mbahet përgjegjëse për atë që ka bërë presidenti dhe administrata, veçanërisht kur republikanët kanë shumicën në të dyja dhomat Kongresit, sikurse tani. Pra, ekziston një dobësi".

Dhe një fitore e demokratëve në një bastion të Trumpit, është një shenjë paralajmëruese e fortë për republikanët, thotë zoti Sabato.

"Fakti që një demokrat ka arritur të fitojë në atë distrikt sugjeron që republikanët duhet të shqetësohen për 100 distriktet e tjera të vendit të cilat drejtohen prej tyre aktualisht, kjo sepse bëhet fjalë për zona ku mbështjetja ndaj Trumpit është më e ulët".

Që demokratët të rivendosin shumicën në Kongres në nëntor u nevojitet të fitojnë 24 vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe dy në Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG