Lidhje

Fillon seanca për dënimin e aktorit Bill Cosby


Sot fillon një seancë dëgjimore dy-ditore pas së cilës do të jepet dënimi për komedianin e njohur amerikan, Bill Cosby. Cosby u gjet fajtor për tre akuza në prill për drogimin dhe ngacmimin e një gruaje në vitin 2004. Secila akuzë bart një dënim maksimal prej 10 vjetësh. Rasti Cosby është përshëndetur si një moment historik në lëvizjen MeToo e cila ka çuar në rënien e shumë figurave të spikatura, të ekspozuara për sjellje të pahijshme seksuale.

Ikona e televizionit amerikan, Bill Cosby kthehet në gjykatë të hënën për një seancë që mund të përcaktojë se ku do ta kalojë pjesën tjetër të jetës.

Dikur i njohur si “babai i Amerikës”, komediani përballet me dënimin për drogimin dhe përdhunimin e një gruaje në vitin 2004.

"Nuk është e paimagjinueshme që gjyqtari ta dënojë atë me burg dhe të urdhërojë që ai t'u dorëzohet menjëherë nëpunësve të burgut në atë seancë", thotë avokatja Areva Martin.

Dhe burgu është ai që dëshirojnë për të shumë nga 60 gratë që thonë se Cosby gjithashtu i ka droguar dhe i ka ngacmuar disa dekada më parë.

"Me të vërtetë mendoj se është e rëndësishme që ai të kalojë ca kohë pas hekurave. Ai ka kryer aktin, është dënuar për të dhe ai duhet të bëjë dënimin si gjithë të tjerët", thotë Lise-Lotte Lublin, një nga akuzueset e Cosby-it.

"Udhëzimet kërkojnë shumë më pak. Është e mundur që ai të kalojë një deri në katër vjet burg. Sipas ligjit të Pensilvanisë, shpesh këto akuza janë të kombinuara në një akuzë të vetme për qëllime dënimi", thotë Mike Sesak, gazetar i Associated Press.

Cosby është personi i parë i famshëm që dënohet në epokën e lëvizjes #metoo. Lëvizja ka ekspozuar shumë ngacmues seksualë të profilit të lartë në botën e politikës, argëtimit dhe atë të lajmeve.

"Lutem që të dënohet 30 vjet. Ai meriton çdo vit. Ne të gjitha kemi vuajtur shumë, e ngritëm zërin për shumë gra dhe ai duhet të kryejë dënimin maksimal", thotë Chelan Lasha, akuzuese e Cosby-it.

Gloria Allred, avokatja që përfaqëson dhjetëra akuzuese të Cosby-it, thotë se gjykata duhet të dërgojë një mesazh me dënimin që do të marrë.

"Është koha që ai të përballet me pasojat e veprimeve të tij kriminale".

Cosby ka pohuar se takimet e tij me gratë kanë qenë konsensuale. Ekipi i tij i mbrojtjes pritet ta apelojë vendimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG