Programi COVAX për vaksinat kundër koronavirusit shpalli planet për shpërndarjen e të paktën 330 milion dozave për vendet me të ardhura më të ulëta dhe do të synojë t’i livrojë ato si dhe miliona doza të tjera deri në fund të qershorit 2021, thanë të mërkurën agjencitë pjesëmarrëse.
Në planin e tanishëm, COVAX përcakton se shpërndarja do të mbulojë mesatarisht 3.3% të popullsisë së 145 vendeve që marrin pjesë në raundin fillestar.
Planet janë që deri në fund të vitit të arrihet vaksinimi i rreth 20% të popullsisë së këtyre vendeve.
Për Shqipërinë janë planifikuar 141,600 doza, për Kosovën 100,800 dhe për Maqedoninë e Veriut 103.200, të gjitha prodhim i firmës Astra-Zeneka dhe i jugkoreanes SK Bioscience.
Gjithsej në dispozicion do të jenë 240 milion doza të vaksinës AstraZeneca-Oxford të prodhuara nga Instituti Serum i Indisë, 96 milion doza të të njëjtit lloj të prodhuara nga AstraZeneca si dhe 1.2 milion doza të vaksinës Pfizer-BioNTech.
"Së shpejti do të jemi në gjendje të fillojmë të shpërndajmë vaksina që shpëtojnë jetë njerëzish në nivel global, një rezultat që e dimë se është me rëndësi vendimtare, nëse do të kemi mundësi për ta mposhtur pandeminë,” u tha gazetarëve Seth Berkley, shef ekzekutiv i aleancës GAVI në një konferencë shtypi.
Programi COVAX drejtohet nga aleanca GAVI, e cila siguron vaksinat për vendet e varfëra, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Koalicioni për Novacione të Gatishmërisë Epidemike dhe Fondi i OKB-së për Fëmijët.
Zyrtarja e OBSH-së Ann Lindstrand tha në konferencë se dozat e para të vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer-BioNTech shpresohet të shpërndahen “në fund të shkurtit, ose në fillim të marsit".
Planet e shpërndarjes shpallen në një kohë kur furnizimi me vaksina është ende i kufizuar, madje edhe në vendet e pasura që blenë shumicën e dozave të para. Javën e kaluar, BE njoftoi kontrolle të eksporteve, në përgjigje të lajmeve se AstraZeneca po shkurtonte furnizimet e saj të para për vendet e bllokut për shkak të problemeve të prodhimit.
Gjithsej, 190 vende të botës marrin pjesë në Programin COVAX, i cili u shpall prillin e kaluar me synimin për të siguruar qasje të barabartë ndaj vaksinave gjatë pandemisë.
Facebook Forum