Lidhje

COVID-19 dhe të rinjtë me influencë në median sociale


Të rinjtë me aftësi për të ndikuar tek të tjerët mund të ndërtojnë marrëdhënie me miliona ndjekës në median sociale, veçanërisht në Instagram dhe YouTube. Përgjithësisht ata reklamojnë produkte bukurie apo që lidhen me modën, por pandemia e koronavirusit i ka ndryshuar çështjen tek e cila ata përqëndrohen.

Disa bëhen milionerë duke reklamuar produkte bukurie e të modës.

Ata që kanë aftësi për të influencuar paguhen për të treguar produkte të markave të ndryshme dhe e bëjnë këtë duke rrëfyer histori personale. Por pandemia e koronavirusit e ka zhvendosur çështjen tek e cila ata përqëndrohen.

Dawn Lee nga Koreja e Jugut postoi ditarin e saj për kohën kur vuante nga kanceri.

Nga Bostoni, Karolina Chorvath ndan me ndjekësit rrugëtimin rraskapitës me sëmundjen e Crohn.

"Si dikush që ka jetuar me një sëmundje kronike për pjesën më të madhe të jetës, kam përjetuar shumë gjëra gjatë izolimit", thotë ajo.

Karolina thotë se ajo e ka zhvendosur vëmendjen e saj që nga shpërthimi i koronavirusit, duke ndarë me ndjekësit mënyra se si ta përballojnë situatën të cilën ndodhen, nisur nga përvoja e saj për të menaxhuar sëmundjen dhe dhimbjen e saj.

"Nisa të bëj meditime, disa prej tyre drejpërdrejt në internet... Ishte vërtet emocionuese të shihje sesi njerëzit iu përgjigjën kësaj gjëje; nuk e parashikoja që do të ishte kaq e suksesshme, por është interesante të lidhesh me njerëz në të gjithë botën mbi këtë temë të veçantë", thotë ajo.

Njerëz të tjerë me influencë, si Helene Heath, kanë gjetur mënyra argëtuese për të rritur ndërgjegjësimin gjatë kësaj krize të shëndetit publik.

I tillë është ky ditar 30-ditor i pamjes nga dritarja e saj në qytetit të Nju Jorkut, një kujtesë e përditshme për të ruajtur distancën fizike prej rreth 2 metrash nga njëri-tjetri.

"Po publikoja gjëra që mendoja se ia vlenin të publikoheshin. Mendoj se ishte si një simptomë e asaj që ne të gjithë po ndjejmë, si e gjithë energjia e atyre njerëzve me të cilët po ndërveproja në median sociale", thotë ajo.

Helene thotë se shumë si ajo, mund t'i ngushëllojnë ndjekësit e tyre në mediat sociale duke qëndruar pozitivë dhe duke u ofruar diçka pranë normales:

"Jemi aty për të ofruar një farë lehtësimi, por jo që të ndryshojmë botën. Ne jemi me shumë një lloj aleati apo miku gjatë kësaj krize".

Brooklynn Gallagher thotë se e rëndësishme është që si njeri me aftësi për të ndikuar të tjerët, të jesh i ndjeshëm ndaj asaj që po ndodh në botë:

"Kam parë gjithnjë e më shumë nga ta që po dhurojnë e mbështesin komunitetet e tyre ... Kam një mikeshë e cila prodhon rroba të një cilësie të lartë. Ajo më dërgoi disa maska për të postuar. Bëra një histori për të. I shet vetëm për shtatë dollarë dhe nëse dikush nuk ka mundësi t'i paguajë mund t'i marrë falas".

Brooklin thotë se përpiqet t'i nxisë ndjekësit e saj të luftojnë ndjenjat e izolimit.

"Ndjekësit tanë janë komuniteti që ne ndërtojmë dhe ata duan të shohin më shumë përmbajtje, duan të shohin atë që ne po bëjmë dhe si po qëndrojmë pozitivë e mbi të gjitha si po e ruajmë shëndetit tonë mendor", thotë ajo.

Ndërsa të rinjtë kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në mediat sociale gjatë karantinës, ndikuesit e rinj me audiencë të madhe në internet globalisht, mund t'u ofrojnë atyre ngushëllim gjatë krizës së shkaktuar nga COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG