Lidhje

Pikëpyetje për pasojat e referendumit në Krime


Me dështimin e përpjekjeve të minutës së fundit për të shmangur referendumin mbi të ardhmen e Krimesë, zyrtarët e këtij rajoni autonom po bëjnë përgatitjet përfundimtare për votimin e së dielës, ku do të vendosin nëse do të bashkohen me Rusinë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Arrott sjell më shumë hollësi nga kryeqyteti i Krimesë, Simferopol.

Rusët janë tani të pranishëm zyrtarisht në rrugët e Simferopolit. Nuk bëhet fjalë vetëm për ushtarët me uniforma pa simbole që morën nën korntroll parlamentin muajin e kaluar, por edhe për diplomatë nga Moska.

“Unë jam këtu si vëzhgues,” thotë ish-zëvendës ministri i Jashtëm rus Sergei Ordzhonikidze.

Ndërsa vëzhguesit e OSBE-së janë rikthyer në kufirin e Krimesë, diplomati rus Sergei Ordzhonikidze i del në mbrojtje votimit në Krime për bashkimin ose jo me Rusinë:

“Vetëvendosja është një parim mbizotërues në botë. Nëse njerëzit duan të zgjedhin të jetojnë në një lloj mënyre, ata kanë të drejtën ta bëjnë një gjë të tillë”.

Por “deklarata e pavarësisë” nga ana e ligjvënësve rajonalë, siç e quan Ordzhonikidze, vjen në një kohë kur Krimea ndodhet nën atë që Kievi dhe fuqitë perëndimore e quajnë “pushtim rus”.

Pankartat pro-ruse janë kudo dhe disa prej tyre e paraqesin referendumin si një zgjedhje mes Rusisë dhe “fashizmit” të udhëheqjes së re, pro-perëndimore në Kiev.

Status quo-ja nuk është një nga alternativat në fletët e votimit dhe kjo është një nga arsyet që shumë anëtarë të komunitetit tartar po e bojkotojnë referendumin, të cilin e quajnë të paligjshëm.

“Ne jetojmë në Ukrainë, një vend që nuk ka qenë në luftë me asnjë vend në botë dhe nuk ka aneksuar ndonjë territor. Prandaj jemi me Ukrainën. Por nëse pushtimi vazhdon, atëherë do të kemi probleme,” thotë Zair Smedlayev, kryetar i fushatës elektorale të tartarëve të Krimesë.

Dhe problemet kanë filluar. Shqetësimet për të ardhmen kanë sjellë tërheqje masive parash nga bankat, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar për pronat, të drejtat dhe shtetësinë nëse Krimea vihet zyrtarisht nën kontrollin rus.

Deputeti pro-rus i Krimesë, Vladimir Klychnikov thotë se ata që nuk e duan shtetësinë ruse, nuk ka pse të shqetësohen.

“Nëse shteti me emrin Ukrainë mbetet, atëherë qytetarët e Krimesë do të jenë në gjendje të ruajnë të gjitha përfitimet e atij shteti,” thotë ai.

Garancitë e dhëna me kushtin “nëse” Ukraina mbetet shtet, veçse e shtojnë frikën mes atyre që shqetësohen jo vetëm për synimet ruse në Krime, por edhe për të ardhmen e gjithë Ukrainës.
XS
SM
MD
LG