Lidhje

A do të kenë sukses sanksisonet ndaj Rusisë?


Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi traktatin që e bën Krimenë pjesë të Rusisë, pas referendumit të së djelës, në të cilin banorët e gadishullit ukrainas votuan me shumicë dërmuese për t’u bashkuar me Rusinë. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera, shumë ekspertë kanë ngritur dyshime mbi legjitimitetin e votimit.

Rezultatet e votimit në Krime, sipas njoftimit, ishin të thella: 97 për qind e pjesëmarrësve votuan për t’u bashkuar me Rusinë. Pjesëmarrja në votime u njoftua të ishte mbi 80 për qind.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se referendumi ishte në përputhje me normat ndërkombëtare dhe ato demokratike.
Por shumë analistë, si Robert Legvold i Universitetit Columbia, e vënë në dyshim këtë përfundim.

“Në se votimi do të ishte i drejtë dhe të gjitha grupet do të merrnin pjesë, unë do të parashikoja që rezultati mund të kishte dalë me 52 ose 53 për qind në favor, për shkak të përbërjes etnike të Krimesë. Fakti që votimi përfundon me 97 për qind në favor dhe në të marrin pjesë 83 për qind, krijon dyshime që nuk ishte vetëm hija e pranisë së ushtrisë ruse, por që pati edhe manipulime të tjera me votat”.

Matthew Rojansky me Qendrën Willson thotë se autoritetet pro-ruse në Krime nuk do ta kishin organizuar referendumin, në se nuk do të kishin besim të madh tek përfundimi i tij.

“Për mendimin tim, ky ishte përfundim i situatës së krijuar, i frikës së krijuar dhe i trysinsë së hapur që u ushtrua nga njerëzit e armatosur. Nuk ka më keq, se sa kur e ke tytën e pushkës në kokë”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e cilësuan referendumin si të paligjshëm dhe në shkelje të kushtetutës së Ukrainës. Uashingtoni dhe Brukseli reaguan menjëherë, duke vendosur kufizime udhëtimi dhe sanksione ekonomike për 28 zyrtarë rusë dhe 4 ukrainas.

Shtëpia e Bardhë thotë se personat në listë janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Putin.

Përsëri Matthew Rojansky.

“Njerëzit tek të cilët varet Putini, të cilët janë mjaft afër tij, janë përgatitur për të vuajtur pasojat e sanksioneve dhe së dyti, Putini i ka ndihmuar ata që pasojat e sanksioneve të jenë sa më të lehta.”

Zoti Rojanski thotë se gjatë vitit të fundit Presidenti Putin u ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë rusë t’i shesin investimet që kanë patur në vende të tjera, pra me një fjalë, t’i sjellin pasuritë në Rusi.

“Ata që e kanë dëgjuar, nuk ka pse të shqetësohen tani për sanksionet ndërkombëtare. Ndërsa ata që nuk e dëgjuan, ai mund t’i flakë tani si të papërdorshëm.”

Analisti Rojanski beson se sanksionet aktuale nuk janë të forta po të kihet parasysh fakti që Rusia ka sulmuar një vend tjetër. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se do të ketë sanksione të tjera, në se zoti Putin vazhdon ndërhyrjen ndaj Ukrainës.

“Nuk mendoj se Presidenti Putin na beson. Ai mendon se ne nuk kemi guxim të vëmë sanksione serioze, si për shembull, në sektorin energjitik. Ai dyshon në vendosmërinë tonë, pasi ne nuk e kemi bërë të qartë, se jemi të gatshëm të paguajmë koston që do të binte mbi ne”.

Analisti tjetër Robert Legvold thotë se sanksionet më të forta mund të kishin një ndikim negativ në ekonominë globale.

“Çdo masë që përshkallëzon ndëshkimin ndaj Rusisë, do të shtonte edhe koston ndaj atyre që do t’i vinin sanksionet.”

Analistët thonë se do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur, të përmbyset ajo që ka ndodhur në Krime. Ekspertët thonë se do të ndjekin me vëmendje se sa larg do të shkojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë me sanksionet për të ndërshkuar Rusinë për veprimet e saj.
XS
SM
MD
LG