Lidhje

Kundërshtari i Obamacare kërkon të sigurohet nga ky program


Një prej kundërshtarëve më të zëshëm të ligjit për kujdesin shëndetësor që mban firmën e presidentit Barack Obama, i njohur si “Obamacare” është gati të sigurojë veten dhe familjen pikërisht nën atë program.Senatori republikan Ted Cruz, i pari i deklaruar si kandidat presidencial për zgjedhjet e vitit 2016, tha të martën se po blinte sigurim shëndetësor për veten e tij, pasi kjo kërkohet për çdo anëtar të Kongresit.

Familja e zotit Cruz ka qënë e siguruar nga korporata që punësonte bashkëshorten e tij, por ajo po largohet nga puna për të marrë pjesë në fushatën e bashkëshortit.

Senatori i ri nga Teksasi është zotuar për të zhbërë Aktin për Kujdes të Përballueshëm Shëndetësor nëse ai bëhet president.

Në vitin 2013, përpjekjet nga zoti Cruz dhe konservatorë të tjerë në Kongres për të penguar Obamacare duke mos miratuar një projekligj për shpenzimet qeveritare çuan në mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane për 16 ditë.

Më parë, anëtarët e Kongresit ishin të siguruar për shëndetin në bazë të një programi që ofron një gamë të gjerë mbulimi nga disa kompani private për miliona punonjës të qeverisë federale.

Por në bazë të një amendamenti të Aktit për Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm të nxitur nga senatori republikan Charles Grassley, anëtarët e Kongresit që nuk kualifikohen për programin Medicare, duhet të sigurohen sikurse të gjithë amerikanët e tjerë përmes programit të financuar nga qeveria amerikane

XS
SM
MD
LG