Lidhje

Një i vrarë gjatë protestave në Kubë


Qeveria e Kubës tha të martën se një person ka vdekur gjatë protestave anti-qeveritare, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut thanë se autoritetet kanë arrestuar më shumë se 100 veta.

Qeveria tha se një 36-vjeçar vdiq të hënën gjatë një përplasjeje midis protestuesve dhe policisë në Arroyo Naranjo, në periferi të Havanës.

Kryeqyteti kuban kishte një prani të madhe policore te martën, dy ditë pasi që demonstruesit atje dhe në pjesë të tjera të vendit, zhvilluan protestat më të mëdha anti-qeveritare në dekada.

Protestuesit shprehën zhgënjimin e tyre me mungesat e ushqimit, çmimet e larta, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe reagimin e qeverisë ndaj pandemisë së koronavirusit.

Media shtetërore kubane tha të martën se ish udhëheqësi Raul Castro, ishte takuar të dielën me presidentin Miguel Díaz-Canel dhe pjesën tjetër të udhëheqjes së Partisë Komuniste në pushtet, për të diskutuar mbi protestat.

Presidenti Díaz-Canel dhe zyrtarë të tjerë kanë fajësuar amerikanët në mediat sociale dhe embargon e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për trazirat në Kubë. Sanksionet dhe kufizimet e vendosura nga ish presidenti amerikan, Donald Trump, dhe një rënie e turizmit për shkak të pandemisë, kanë shtuar trysninë mbi ekonominë kubane viteve të fundit.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha në një konferencë të martën se protestuesit "po qëndrojnë përballë regjimit autoritar të Kubës".

"Nevojat e tyre themelore nuk po plotësohen dhe ata janë kuptueshëm të rraskapitur", tha zoti Price.

Organizata monitorimit të internetit, NetBlocks, tha të martën se qeveria kubane kishte kufizuar qasjen në një numër rrjetesh sociale, përfshirë shërbimet në Facebook dhe WhatsApp

Ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodriguez, mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se vendi është përballur me “mungesë të energjisë elektrike...që ndikon në funksionimin e rrjeteve të komunikimit”.

Zoti Price tha se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Kubës që të hapë "të gjitha mjetet e komunikimit".

"Mbyllja e teknologjisë, mbyllja e rrugëve të informacionit, nuk bën asgjë për të zgjidhur nevojat e ligjshme dhe aspiratat e popullit kuban", tha ai.

Autoritetet amerikane po dekurajojnë gjithashtu çdo përpjekje të mundshme të kubanëve për t’u larguar nga ishulli drejt brigjeve të Shteteve të Bashkuara.

"Çdo imigrant i kapur në det, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, nuk do të lejohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara," u tha gazetarëve Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

Sekretari Mayorkas tha se aktualisht nuk ka pasur asnjë shenë të rritjes së përpjekjeve të migrimit nga deti.

*Disa informacione për këtë raport u morën nga Associated Press, AFP dhe Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG