Qeveria kubane ka në plan të shkurtojë gjysëm milioni punonjës shtetërorë dhe po i inkurajon ata që të kalojnë në sektorin privat, si pjesë e një reforme ekonomike në vend. Por specialistë të ekonomisë thonë se Kuba përballet me sfida të shumta për nxitjen e sektorit privat.
Për muaj me radhë, presidenti Raul Kastro ka paralajmëruar për shkurtime të pashmangëshme në sektorin shtetëror, i cili përfaqëson 95% të ekonomisë kubane. Ai ka thënë se shteti është duke u përpjekur shumë, pasi janë një numër tepër i madh punonjësish që kanë rendiment pune të ulët.
Konfederata e Punonjësve Kubanë shpalli kohët e fundit një plan i cili përfshin shkurtimin e më shumë se 500 mijë punonjësve deri në muajin prill. Sipas kësaj konfederate , qeveria nuk mund të vazhdojë të mbështesë subjekte me bordero të fryra që sjellin humbje, e që e kanë ulur ndjeshëm ekonominë e vendit.
Në Uashington, ekonomisti George Montalavan thotë se plani ndërmerret si përgjigje ndaj krizës ekonomike. Ai thotë se Havana po bën të njëjtat hapa, që bëri në kohën kur iu shterruan ndihmat nga Bashkimi Sovjetik, mbështetësi i saj financiar në fillim të viteve 1990.
“Ata po bëjnë të njëjtën gjë, por pa diskutim me përmasa më të mëdha sepse 500 mijë njerëz janë 10 % e krahut të punës në Kubë. Pra janë shumë”.
Zyrtarët kubanë thonë se shumë njerëz mund të punësohen nga sektori privat tani që qeveria përgatitet të lehtësojë rregullat për industrinë jo shtetërore. Konfederata e punonjësve thotë se reformat e reja do të lejojnë kubanët të marrin tokë me qera, të formojnë koperativat dhe të vetëpunësohen.
Kuba bëri të njëjtën lëvizje në vitin 1990 kur lejoi njerëzit të hapnin restorante apo hotele të vogla si dhe lejoi bizneset të pranonin dollarin amerikan. Analistët thonë se plani aktual mund të përparojë më tepër, duke lejuar bizneset të punësojnë njerëz dhe të japin objekte me qera.
John Kavulch, ekspert pranë këshillit tregtar dhe ekonomik amerikano-kuban, thotë se shumë pikëpyetje mbeten rreth mënyrës se si do të zbatohen këto ndryshime . Ai thotë se ligjet aktuale e bëjnë thuajse të pamundur për kubanët që të krijojnë biznese të vogla.
Një tjetër pyetje është se ku do t’i gjejnë kubanët paratë për të financuar bizneset e tyre. George Montalvan thotë se mjaft investitorë të huaj janë të kujdeshëm për të investuar në Kubë, ndikuar nga historia e këtij vendi për mos pagimin e huave dhe mosrespektimin e të drejtave të pronarëve të huaj.
Ai thotë se shumë kubanë mund të marrin para nga të afërmit e tyre jashtë vendit, por nuk është e qartë se si qeveria do t’i lejojë njerëzit që t’i përdorin këto para.
“Qeveria kubane nuk e ka mundësinë që t’i finacojë, në ndonjë mënyrë, bizneset e vogla. Pra pyetja është: Nga do të vijnë këto financime?”
Reformat e propozuara gjithashtu mund të kenë një ndikim të ashpër social për një shtet komunist i cili për dekada me radhë ka kërkuar të eliminojë ndarjen klasore.
Analisti John Kavulich thotë se hapja e derës për bizneset private do të lejojë disa pronarë që të lulëzojnë, kryesisht në sytë e kubanëve të tjerë. Ai thotë se është e paqartë nëse zyrtarët kubanë janë gati për këtë gjë.
Në fillim të këtij muaji, ish udhëheqësi kuban Fidel Kastro u citua nga një gazetar amerikan të ketë thënë se modeli kuban nuk funksionon më, as për vetë Kubën. Më vonë ai tha se ishte keqinterpretuar dhe se beson se kapitalizmi nuk funksionon.
Reformat e fundit, thonë analistët, tregojnë se qeveria e Kubës e udhëhequr nga Raul Kastro është e gatshme për ndryshime për të tejkaluar krizën ekonomike në vend dhe për të ndërtuar të ardhmen e Kubës.