Lidhje

SHBA, ndryshime në politikat ndaj Kubës


Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën disa ndryshime të reja për disa kufizime domethënëse ndaj Kubës, si lehtësimi i kufizimeve të udhëtimit dhe të tregtisë, në prag të vizitës historike të Presidentit Barak Obama atje javën e ardhshme.

Ndryshimet në politikat tregtare dhe të udhëtimit do t’u japin mundësi kubanëve të hapin llogari bankare në Shtetet e Bashkuara dhe të punojnë me leje të rregullta pune. Administrata po eliminon disa kufizime mbi përdorimin e dollarit si monedhë për shkëmbimet tregtare, me bindjen se këto masa do të lehtësojnë shkëmbimet tregtare dhe udhëtimet si dhe me shpresën se do të sjellin reforma ekonomike në këtë vend-ishull nga qeveria komuniste e Kubës.

Po ashtu, qeveria amerikane po ofron lehtësi për shtetasit amerikanë, duke lejuar që të vizitojnë këtë vend-ishull. Siç shprehet Departamenti i Tregtisë, synimi është që të shtohen kontaktet mes njerëzve, si dhe shkëmbimet arsimore. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se synimi i tyre me normalizimin e marrëdhënieve është sheshimi i barrierave ekonomike dhe fuqizimi i kubanëve përmes kontakteve me Amerikën. Por brenda në Kubë, aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se mbetet shqetësim problemi i shtypjes së disidentëve, mungesa e lirisë së fjalës dhe e lirisë së organizimit. Ata shpresojnë se ardhja e zotit Obama në këtë vend komunist – i pari president amerikan që viziton Kubën në afro 90 vjet, do të nxisë qeverinë kubane të realizojë ndryshime të mirëfillta politike për individin. Ndryshimet e reja në politikat amerikane ndaj Kubës do të hyjnë në fuqi më 16 mars.

XS
SM
MD
LG