Lidhje

Legjislacion për sigurinë kibernetike


Presidenti amerikan Barack Obama po bën thirrje për një legjislacion të ri për sigurinë kibernetike për të nxitur më tej ndarjen e imformacioneve mes qeverisë dhe kompanive private

“Pjesa dërmuese e infrastrukturës tonë kritike, si sistemet financiare, rrjetet elektrike, tubacionet e naftës, sistemi i kujdesit shëndetësor, janë të lidhura me internetin. Është çështje e sigurisë publike. Shumica e këtyre rrjeteve zotërohen nga sektori privat. As qeveria dhe as sektori privat nuk e mbrojnë vendin të vetme. Duhet të ketë një mision të përbashkët ku qeveria dhe industria të punojnë sëbashku si partnerë.”

Duke folur të martën në qendrën kombëtare për sigurinë në internet, zoti Obama tha se aktualisht është tepër e vështirë për të dy anët që të shkëmbejnë informacione si rezultat i pengesave ligjore dhe çështje të tjera si shqetësimet e kompanive se mos ekspozojnë sekretet.

Nisma e presidentit vjen një ditë pasi hakerët hynë në llogaritë Twitter dhe YouTube të Komandës Qendrore amerikane që mbikëqyr sulmet ajrore ndaj Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Hakerët thanë se ishin njerëz të Shtetit Islamik.

Pak kohë më parë edhe kompania mediatike Sony u godit nga hakerët. Sulmi bëri që Sony të anulonte përkohësisht nxjerrjen në qarkullim të filmit komik The Interview që portretizon një komplot imagjinar për vrasjen e udhëheqësit komunist të Koresë së Veriut.

Presidenti Obama ka thënë se sulmi kibernetik i së hënës ndaj llogarive të ushtrisë amerikane në median sociale nuk duket se ka çuar në nxjerrjen e të dhënave sekrete. Por ai tha se hetimet po vazhdojnë dhe se kërcënimet kibernetike janë një rrezik në rritje.

Presidenti shprehu besimin se një legjislacion dypalësh mund të hartohet së shpejti dhe do të mund të mbronte nga ana ligjore kompanitë që ndajnë informacione për kërcënimet kibernetike. Kjo do të bënte që qeveria të mbronte privacinë dhe liritë civile ndërkohë që përpiqet të mbrojë rrjetet informatike të vendit.

Më parë, legjislacione të ngjashme nuk kanë patur sukses në Kongresin amerikan. Mbështetësit e lirive civile kanë refuzuar t’i japin qeverisë kontroll mbi informacionet financiare të konsumatorëve, ndërsa disa ligjvënës konservatorë kanë shprehur shqetësime rreth mundësisë së krijimit të një agjencie tjetër qeveritare.

XS
SM
MD
LG