Aftësia e kompanive private për dërgimin e misioneve furnizuese në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës u provua edhe një herë dje, kur një kompani e dytë private amerikane nisi anijen e vet të hapësirës drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës:
Kompania me bazë në Virginia “Orbital Sciences” provoi se mund të çojë një mision furnizimi në Stacionin Hapësinor, me një nisje të shkëlqyer nga një pistë fluturimi në Virginia.
Anija e hapësirës Cygnus e kompanisë Orbital, është e ngarkuar me furnizime me peshë 700 kilogramë për ekuipazhin e stacionit.
Ky mision është faza e fundit e një programi të NASA-s, në të cilin agjencia amerikane e hapësirës ishte investitori kryesor për zhvillimin e transportit të hapësirës nga sektori privat.
Këto lloj partneritetesh janë prirja e së ardhmes, tha ish-astronauti i NASA-s, tani nënpresidenti ekzekutiv i kompanisë Orbital, Frank Culbertson.
“Kështu do të na duhet të operojmë, në mënyrë që të ruajmë një program hapësire të fuqishëm dhe mendoj se po tregojmë se kjo mund të realizohet. Por nisja e anijes ishte vetëm hapi parë i pjesës më të vështirë. Hapi i dytë janë manovrat për t’u bashkuar me stacionin në hapësirë”.
Shtetet e Bashkuara po bazohen tek industria private për dërgimin e furnizimeve në stacionin e hapësirës, ndërsa NASA përqëndrohet tek ndërtimi i tipeve të reja të anijeve të hapësirës.
Partnerët tregtarë të NASA-s, po ashtu kanë përgjegjësinë për të çuar përpara punën shkencore në stacion, thotë zëvendës-administratori i NASA-s, Robert Lightfoot.
“Duke patur kapacitetin shtesë të mbajtjes së furnizimeve, me anijen Cygnus, kjo na lejon të bëjmë gjithmonë e më tepër eksperimente përtej orbitës së ulët të Tokës”.
Gjatë fluturimit të anijes Cygnus, do të vihen në provë disa nga sistemet dhe kapaciteti i saj. Ajo pritet të lidhet me stacionin hapësinor të dielën.
NASA i ka dhënën kompanisë Orbital-it një kontratë me vlerën e $1.9 miliardë dollarëve, për t’u përdorur në misione furnizimi.
Kompania me bazë në Kaliforni, SpaceX, kapsulën e së cilës Dragon po shikoni tani, ishte kompania e parë private, anija e së cilës u lidh me Stacionin Hapësinor. Ajo ka me NASA-n një kontratë furnizimi me vlerën e 1.6 miliardë dollarëve.
Anijet hapësinore të kompanive nuk janë të zëvendësueshme, thotë Alan Lindenmoyer, menaxher i Ekipit Tregtar të NASA-s dhe programit të furnizimeve.
"SpaceX ka kapacitetin për furnizime masive, si dhe të kthejë objekte nga Stacioni Hapësinor. Orbital ka aktualisht një volum më të madh të presuar, prandaj ajo mund të mbajë një sasi më të madhe objektesh më pak të dendura, në se nevojitet”.
Anija e Hapësirës e kompanisë Orbital do të mbushet me mbeturinat e stacionit të hapësirës dhe pas rreth një muaji do të shkëputet nga Stacioni.
Ndryshe nga anija Dragon e kompanisë tjetër, SpaceX, Cygnus
është projektuar në mënyrë të tillë, që të vetëdigjet kur të rihyjë në atmosferën e Tokës.