Lidhje

Përfundojnë pa marrëveshje bisedimet për Qipron


Përfunduan pa marrëveshje bisedimet për Qipron të zhvilluara në Zvicër, nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Bisedimet synonin zgjidhjen e ngërçit që e ka mbajtur ishullin e Qipros të ndarë për më shumë se katër dekada.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha sot se "për fat të keq marrëveshja nuk ishte e mundur dhe se konferenca u mbyll në pamundësi të sjellë një zgjidhje për këtë problem të madh dhe të vjetër."

Gjatë bisedimeve, Greqia, Turqia dhe Britania morrën pjesë në cilësinë e palëve garantuese krahas udhëheqësve qipriotë grekë dhe turq. Të pranishëm ishin dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Qiproja u nda në vitin 1974, kur trupat turke pushtuan një të tretën e pjesës veriore të ishullit, në përgjigje të përpjekjes për bashkim me Greqinë të frymëzuar nga Athina. Turqia ka 35 mijë trupa në Qipron veriore. Komuniteti grek i sheh ata si rrezik dhe kërkon largimin e tyre. Por turqit qipriotë i shohin trupat si garanci për sigurinë e tyre.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha se pika më problematike e bisedimeve në Zvicër, ishte këmbëngulja e Greqisë dhe grekëve qipriotë që Turqia të tërhiqte të gjitha trupat e saj nga ishulli dhe shfuqizimi i ndërhyrjes ushtarake.

Sekretari i përgjithshëm Guterres tha se edhe pse bisedimet dështuan "kjo nuk do të thotë se nuk do të ndërmerren hapa të tjerë në funksion të zgjidhjes së problemit".

Ai tha se në këtë proces Kombet e Bashkuara kanë një rol lehtësues dhe se do të jenë gjithnjë në dispozicion të gadishmërisë së palëve për të arritur një marrëveshje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG