Lidhje

SHBA, Sanksione ndaj 18 individëve e grupeve iraniane


Shtetet e Bashkuara vendosën sot sanksione ndaj 18 individëve dhe grupeve iraniane nën akuzat për mbështetje të programit të raketave balistike të Iranit dhe tregëti armësh.

Sanksionet u vendosën një ditë pasi qeveria amerikane tha se Irani po i përmbahet marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Sipas ligjeve amerikane, Departamenti i Shtetit duhet të njoftojë Kongresin çdo 90 ditë, nesë veprimet e Iranit janë pajtim me marrëveshjen.

Duke shpallur sanksionet, Departamenti i Shtetit theksoi se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga aktivitetet e Iranit në Lindjen e Mesme, të cilat minojnë stabilitetin rajonal, sigurinë dhe begatinë.

Sanksionet parashikojnë bllokimin e pasurive në Shtetet e Bashkuara dhe ndalimin e amerikanëve që të bëjnë biznes me individët dhe grupet në fjalë.

Departamenti i Shtetit vendosi sanksione ndaj dy grupeve të lidhur me “Rrojet Revolucionare”, forcat elite ushtarake iraniane, nën akuzat për punë kërkimore dhe testim raketash balistike. Departamenti i Thesarit nga ana e tij vendosi sanksione ndaj 7 entiteteve dhe 5 individëve për blerje objektesh ushtarake, si dhe ndaj një entiteti që e cilëson si një “organizatë kriminale ndërkombëtare me bazë në Iran” dhe ndaj tre individëve të lidhur me të.

Shtetet e Bashkuara po ashtu ripërsëritën thirrjen drejtuar Iranit për të liruar tre shtetas amerikanë që i mban nën ato që Shtetet e Bashkuara i cilësojnë si akuza të fabrikuara si dhe i kërkuan Teheranit të përmbushë premtimin për të kthyer Robert Levinson-in, që figuron i zhdukur në Iran prej një dekade.

Departamenti i Shtetit thekson se administrata e presidentit Trump, që erdhi në pushtet para 6 muajsh, po vazhdon të kryejë një rishikim tërësor të politikës ndaj Iranit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG