Lidhje

Debat i nxehtë në SHBA për abortin


Mbështetësit e të drejtës së abortit përshëndetën vendimin e Gjykatës së Lartë për të anuluar rregullat e ashpra që vështirësojnë abortin në Teksas, shteti i dytë për nga popullsia në SHBA. Aborti është i ligjshëm në Shtetet e Bashkuara, por disa shtete amerikane miratojnë rregulla që synojnë të çinkurajojnë këtë praktikë.

Aktivistët pro abortit u mblodhën dje për të festuar në kryeqytetin amerikan. Gjykata e Lartë vendosi në favor të klinikave të abortit në Teksas, të cilat thonë se politikanët konservatorë në këtë shtet kërkojnë t’i mbyllin.

“Pas vitesh të tëra betejash me politikanë të pashpirt që janë gati të bëjnë çdo gjë për ta bërë abortin të pamundur, dua që të gjithë të kuptojnë se ata nuk munden të vështirësojnë jetën e grave të Teksasit,” thotë aktivistja pro abortit Amy Miller.

Ky vendim pritet të zmbrapsë edhe shtetet e tjera që mund të përdorin taktika të tilla.

“Pa dyshim, vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë ndryshon gjithçka përballë sulmeve të vazhdueshme ndaj të drejtave të shëndetit të grave që janë ndërmarrë prej vitesh nga ligjvënësit e shteteve amerikane,” thotë Nancy Northrup, e Qendrës për të Drejtat e Riprodhimit.

Guvernatori i Teksasit, Dan Patrick, i hedh poshtë akuzat duke thënë se këto rregulla synonin ruajtjen e shëndetit të grave:

“I keni dëgjuar vetë organizatat në favor të abortit të thonë se nëse vazhdojmë të miratojmë ligje për këtë çështje, gratë do të bëjnë aborte në mënyra të paligjshme. Këtë ka miratuar sot Gjykata e Lartë.”

Pas vdekjes së gjykatësit konservator dhe kundërshtar i hapur i abortit Antonin Scalia, gjykata me tetë anëtarë votoi 5 me 3 duke shkaktuar humbje për aktivistët kundër abortit.

“Besojmë se gratë meritojnë më shumë se abortin. Aborti është panorama që tregon se kemi dështuar me gratë. Pra, nuk dua vetëm që aborti të jetë i paligjshëm; dua të jetë i papërfytyrueshëm,” thotë aktivistja kundër abortit, Lisa Stover.

Amerikanët janë të ndarë përgjysëm për këtë çështje dhe të dyja palët zotohen ta vazhdojnë betejën.

“Me të drejtë, Teksasi ushtroi autoritetin e tij për të mbrojtur gratë, por fatkeqësisht Gjykata e Lartë mori anën e abortit. Ne që jemi në favor të jetës, ndodhemi sot këtu për të thënë që nuk dorëzohemi,” thotë Penny Nance, e Organizatës "Gratë e Interesuara për Amerikën".

“Tani do të vazhdojmë betejën që të gjitha gratë, pavarësisht racës apo të ardhurave, apo vendin ku jetojnë, të kenë mundësinë për një abort të sigurtë,” thotë Erin, protestuese pro abortit.

Presidenti Obama e mirëpriti vendimin duke thënë se vendimi heq një pengesë jokushtetuese në rrugëtimin e grave për lirinë e riprodhimit.

XS
SM
MD
LG