Lidhje

Debati i kandidatëve republikanë


Në debatin elektoral të organizuar nga CNN-i në shtetin e Uiskonsinit, ku javën e ardhshme zhvillohen zgjedhjet praparake, tre kandidatët e mbetur në garën e republikanëve për president, ishin të një mendimi për nevojën e mposhtjes së grupit Shteti Islamik, por ata nuk shprehën mbështetje për njëri tjetrin lidhur me këtë çëshje.

"Ne duhet ta fshijmë ISIS--in nga faqja e globit me dhunë dhe me shpejtësi, se nuk kemi zgjedhje tjetër", tha Donald Trump, që kryeson garën e republikanëve.

Senatori i Teksasit Ted Cruz, i cili deri tani është i dyti në radhë për nga numri i delegatëve të siguruar, tha se Shtetet e Bashkuara duhet që fillimisht të përdorin "forcë ajrore dërrmuese" pastaj të armatosin luftëtarët kurdë " që ata të luftojnë ISIS-in". "Vendimi në se duhen përdorur forcat speciale, apo ato tokësore amerikane, duhet marrë pas kësaj", tha zoti Cruz. Senatori Cruz, kritikoi edhe presidentin Obama, duke thënë se ai vetë nuk do t'i çonte trupat amerikane jashtë vendit sipas rregullave strikte luftarake që nuk garantojnë fitoren.

Administrata Obama ka patur përplasje si me qeverinë e Irakut, edhe atë të Afganistanit lidhur me kushtet e veprimit të trupave amerikane në këto vende.

Guvernatori i Ohajos John Kasich mbështeti idenë e një koalicioni për shkatërrimin e Shtetit Islamik, ku të kenë kontribut më të madh shtetet e Gjirit Persik. Ai tha se fushata duhet të jetë ajrore dhe tokësore dhe pastaj trupat të kthehen në vend.

Kasich po ashtu kritikoi propozimin e zotit Cruz, që policia të patrullojë lagjet myslimane, në mënyrë që të çrrënjoset terrorizmi.

"Ne nuk mund t'i lejojmë vetes polarizimin e njerëzve në botën e civilizuar", tha Kasich. "Në të gjithë botën ka njerëz që e dinë se ky kërcënim duhet ndalur, duhet shkatërruar dhe ne duhet të bashkëpunojmë me vendet e tjera, sepse kur vdesin njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë në shpërthime me bombë si në Pakistan gjatë shërbesës fetare të Pashkëve, vdes edhe një pjesë e jona".

Zoti Trump tha se Shtetet e Bashkuara po paguajnë shtrenjë për mbështetjen ndaj NATO-s, që ai e cilësoi "të vjetëruar" dhe se vende të tjera të Aleancës janë duke përfituar me të padrejtë prej saj.

Kasich më pas ishte dakord me idenë se vende të tjera duhet të angazhohen më shumë me Aleancën, por shtoi se ta quash NATO-n "të vjetëruar" është diçka absurde. Ai mbështeti idenë që reformimi i Aleancës të përfshijë grumbullimin e të dhënave të zbulimit dhe patrullimin kufijve.

Në fillim, kur gara e repbulikanëve kishte më shumë pjesëmarrës, të gjithë kandidatët qenë zotuar se do të mbështesnin cilindo prej tyre që do të ishte i emëruari i partisë për zgjedhjet e përgjithshme në nëntorit.

Ndërsa fushata është bërë më përçarëse dhe më e ashpër, ndjenjat pozitive të kandidatëve ndaj njëri tjetriti, duket se janë prishur dhe në qëndrimet e tyre të së martës kandidatët bënë hapa prapa nga premtimet e tyre absolute.

Zoti Trump tha se ai nuk do ta respektojë më premtimin, duke shtuar se ai është trajtuar shumë padrejtësisht nga partia.

Zoti Cruz nuk ju përgjigj drejtpërdrejt pyetjes, në se do ta mbështeste të emëruarin e partisë, por shtoi se në se atë do ta fitonte Trump, kjo do të ishte një fatkeqësi dhe se zgjidhja e tij për këtë pyetje do të ishte që ai ta fintonte emërimin e partisë.

Zoti Kasich tha se ai do të shohë se si do të shkojë fushata deri në fund dhe pastaj do të marrë një vendim në se do të mbështesë kandiatin e partisë.

"Në se personi i emëruar nga partia është dikush për të cilin unë mendoj se e dëmton vendin dhe e përçan atë, unë nuk mund ta mbështes atë", tha ai. "Por kemi një rrugë të gjatë përpara, të shohim se si do të shkojë, dhe atëhere do t'ju them si do bëj." - tha zoti Kasich.

XS
SM
MD
LG