Lidhje

Të hënën fillon Kuvendi i Demokratëve


Të hënën fillon në qytetin e Filadelfias Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate, ku Hillary Clinton do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë për kandidate presidenciale.

Zonja Clinton prezantoi dje zotin Kaine si kandidatin e saj për nën president, duke thënë se të dy ata “ofrojnë një vizion shumë të ndryshëm për Amerikën”, nga republikanët, duke theksuar se ky vizion është “ndërtimi i urave dhe jo i mureve”. Ajo tha se Kuvendi i Demokratëve javën e ardhshme do të përqëndrohet tek mesazhi se “diversiteti etnik” e bën më të fuqishme Amerikën.

Ndërkohë, një grup pune i Partisë Demokrate që po shqyrton rregullat e partisë, ka votuar kundër heqjes së sistemit të superdelegatëve, të kërkuar nga mbështetësit e ish-kandidatit Bernie Sanders.

Roli i superdelegatëve ishte tema kryesore e diskutimit në mbledhjen e Komisionit të Rregullave që u mbajt të shtunën.

Superdelegatët, zyrtarët e zgjedhur dhe ata të brendshëm të partisë, të cilët mund të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar në kuvendin e partisë, mbështesin fuqishëm ish sekretaren Clinton. Ajo ka mbështetjen e 602 superdelegatëve kundrejt 48 prej tyre që janë zotuar se do të mbështesin rivalin e saj demokrat.

Senatori Bernie Sanders vazhdimisht ka thënë se ai dëshiron që roli i superdelegatëve të rishqyrtohet.

Në vend të kësaj, pas takimit të së shtunës ai mori premtimin e partisë për të krijuar një komision për hartimin e ndryshimeve në sistemin superdelegatëve, që duhet të dalë me një raport mbi këtë çështje në vitin 2018, dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Senatori Sanders, megjithatë, ishte në gjendje të lërë gjurmë në platformën e fushatës së partisë. Një draft i platformës së partisë demokrate përfshin propozimet për rritjen e pagës minimale në nivel federal në 15 dollarë në orë, heqjen e dënimit me vdekje dhe shkollimin shkollim falas për disa studentë universiteti, parimet themelore të fushatës së zotit Sanders.

Përfshirja e propozimeve do të thotë se përçarjet në Partinë Demokratike kanë më pak gjasa të shfaqen në kuvendin që do të mbahet gjatë javës.

Demokratët duan të paraqesin veten në Kuvend si një parti e bashkuar. Megjithatë, publikimi i kohëve të fundit i emaileve të Komitetit Kombëtar Demokrat, duke detajuar përçarjet mes Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate dhe senatorit Sanders, mund të dëmtojnë synimin për unifikim të partisë.

XS
SM
MD
LG