Lidhje

Departamenti i Drejtësisë në mbështetje të kishës që sfidon ndalimin e tubimeve


Një kishë në shtetin Virxhinia

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka paraqitur një deklaratë në mbështetje të një kishe që po sfidon ndalimin e vendosur nga shteti i Virxhinias për tubime të më shumë se dhjetë njerëzve.

Kisha argumenton në një padi federale se urdhri i Guvernatorit Ralph Northam shkel të drejtat kushtetuese për lirinë e shprehjes dhe për lirinë e besimit.

Policia në qytetin Chincoteague, në shtetin Virxhinia, bëri një kallzim penal ndaj pastorit të kishës për shkak të një shërbese fetare të mbajtur në fillim të prillit, ku morën pjesë 16 njerëz, duke respektuar masat e distancimit fizik.

Departamenti i Drejtësisë tha se shteti nuk ka demonstruar se ka arsye bindëse për ta trajtuar kishën ndryshe nga bizneset jo-fetare që lejohen të operojnë me më shumë se 10 njerëz.

Materiali i paraqitur nga departamenti thotë se qeveria duhet të ketë një ekuilibër midis ruajtjes së praktikave më të mira të shëndetit publik dhe sigurimit të lirive.

"Shtetet e Bashkuara kanë një interes thelbësor në ruajtjen e të drejtës themelore të qytetarëve të saj për ushtrimin e lirë të fesë, të mbrojtur shprehimisht nga Amendamenti i Parë", shprehet Departamenti i Drejtësisë.

Në fund të prillit, Prokurori i Përgjithshëm William Barr kërcënoi për veprime ligjore kundër kufizimeve të vendosura nga autoritetet shtetërore dhe lokale që zvogëlojnë lirinë fetare dhe të drejtat e tjera kushtetuese.

Në një memorandum, zoti Barr udhëzoi zyrtarët e lartë të drejtave civile të Departamentit të Drejtësisë dhe prokurorët federalë në të gjithë vendin që të "ishin në kërkim të direktivave shtetërore dhe lokale që mund të shkelnin të drejtat kushtetuese dhe liritë civile të qytetarëve të veçantë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG